Valbon Krasniqi: Situata me COVID-19 është e rënduar, mbi 80 për qind e pacientëve janë me oksigjen

  • E.K /
  • 01 April 2021 - 12:06
Valbon Krasniqi: Situata me COVID-19 është e rënduar, mbi 80 për qind e pacientëve janë me oksigjen

Numri i madh i rasteve të reja të të infektuarve me COVID-19 dhe rritja e numrit të të hospitalizuarve, kanë krijuar një situatë të rëndë në sistemin shëndetësor.

Kapacitetet spitalore, pothuajse janë në limit.

Kështu thotë drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Ai shton se mbi 80 për qind e pacientëve me COVID-19 të shtrirë në spitalet dhe klinikat e QKUK-së, po trajtohen me oksigjenoterapi.

“Ne kemi më se tre javë si Kosovë që po shënojmë numër të madh të rasteve të reja të të infektuarëve që po përcillet edhe me numër të madh të të hospitalizuarëve. Kjo po tregon që masat nuk janë duke u respektuar dhe kjo po reflektohet në këtë numër të madh të rasteve të reja. Ne po bëjmë thirrje dhe po kërkojmë me ngulm që të respektohen masat që janë në fuqi, përndryshe, ky numër është jashtëzakonisht i madh dhe shumë shqetësues, kur kemi parasysh kapacitetet tona si sistem shëndetësor në përgjithësi, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është fat që Kosova tashmë ka marrë dozat e para të vaksinës dhe ka filluar vaksinimin.

“Tani është fat që Kosova më në fund ka marrë dozat e para të vaksinës dhe ka filluar vaksinimi, fillimisht i punëtorëve shëndetësorë për të vazhduar pastaj me kategoritë sipas planit të vaksinimit, mirëpo derisa të bëhet vaksinimi i një mase të madhe të populates, ne duhet patjetër të respektojmë masat anti-COVID-19”, ka deklaruar ai për Radio Evropën e Lirë.

Krasniqi ka folur edhe për masat Anti-COVID, me çrast ka thënë se mosrespektimi i masave do të reflektohen në rritjen e numrit të rasteve të infektuara.

“ Sa i përket masave që kanë të bëjnë me shëndetin publik është ISHPK-ja që të bëjë rekomandime. Ne si Shërbim Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, informojmë me kohë lidhur me kapacitetet tona dhe mundësitë tona. Një nga indikatorët ose treguesit më të mirë të situatës me pandeminë është edhe numri i të shtrirëve në spital dhe numri i atyre që shënojnë forma të rënda të sëmundjes. Prandaj, duhet që të gjithë t’i marrin parasysh këta faktorë, e para së gjithash faktorin e kapaciteteve spitalore, në mënyrë që të rekomandojnë masa të caktuara në përputhje me situatën në të cilën gjendemi”, ka shtuar ai.

Tutje ai ka thënë se gjendja me pandeminë është rënduar dhe se pothuajse mbi 80 për qind e pacientëve të hospitalizuar po kërkojnë oksigjenoterapi.

“Sa i përket situatës është e rënduar në kuptim të numrit të madh të pacientëve që i kemi të shtrirë dhe po ashtu të gjendjes së rënduar të tyre. Pothuajse, mbi 80 për qind e të hospitalizuarëve po kërkojnë oksigjenoterapi dhe janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme. Sa i përket medikamenteve tash e kemi stabilizuar furnizimin me medikamente në masë të madhe, e në veçanti ato që janë bazike dhe që janë në udhërrëfyesin e protokollit klinik. Pothuajse të gjitha barnat në përjashtim të REMDESIVIRIT dhe të një apo dy antibiotikëve, të tjerat janë të disponueshme në klinikat dhe spitalet e QKUK-së. Keni parasysh se këta pacientë, në veçanti të moshuarit, përveç COVID-19, kanë edhe sëmundje tjera dhe marrin edhe terapi tjetër dhe sigurisht që ato që nuk janë në lista kanë nevojë që t’i blejnë. Por, barnat të cilat përdoren për mjekimin e COVID-19, i kemi të siguruara, përveç atyre përjashtimeve që ju thashë”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)