Philip Kosnett takim me Arben Vitinë, nuk përjashtohen masat e reja

  • E.K /
  • 01 April 2021 - 14:00
Philip Kosnett takim me Arben Vitinë, nuk përjashtohen masat e reja

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka takuar sot Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, me të cilin kanë diskutuar rreth situatës pandemike në vend.

Në këtë takim, ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar për situatën rreth COVID-19 në Kosovë, për të cilën është vlerësuar se është shqetësuese dhe kërkohet respektim i masave në fuqi, pa e përjashtuar edhe plotësimin e këtyre masave me të tjera, duke u bazuar në ecurinë e situatës epidemiologjike në vend.

“Në takim është theksuar se pandemia ka përkeqësuar situatën, përveç në rrafshin shëndetësor edhe në atë ekonomik e social.

Arben Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar edhe për fillimin  e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë dhe MSh për sigurimin e dozave te tjera me qëllim që të arrihet një mbulueshmëri sa më e lartë e popullatës me vaksinim.

Lidhur me këtë, Vitia e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën nga partnerët  dhe është shprehur mirënjohës për SHBA-të të cilët janë një nga donatorët kryesorë të skemës globale të vaksinimit, COVAX si dhe kontributin e përhershëm për shëndetësinë në Kosovë”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Ambasadori Kosnett ka theksuar se SHBA-të përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partner të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19 dhe sigurimin e një përgjigje adekuate ndaj kësaj situate, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës në Kosovë.

(Kosova Sot Online)