Mbi 21 mijë raste të reja me COVID-19 vetëm gjatë muajit mars në Kosovë

  • E.K /
  • 01 April 2021 - 11:11
 Mbi 21 mijë raste të reja me COVID-19 vetëm gjatë muajit mars në Kosovë

Numri i të infektuarve me COVID-19 po vazhdon të rritet në Kosovë.

Vetëm gjatëm muajit mars në vend janë konfirmuar 21 mijë e 59 raste të reja me koronavirus, ndërkaq numri i të vdekurve në këtë muaj ka qenë 273.

Krahasuar me numrin e të infektuarve në dy muajt e parë të këtij viti, në mars numri i rasteve të reja është rritur për mbi 10 mijë raste.

Gjatë janarit 2021, në Kosovë ishin konfirmuar 8 mijë e 790 raste me COVID-19, ndërkaq kishin vdekur 163 persona të infektuar.

Kurse, në shkurt 2021 numri i të infektuarve ishte 9 mijë e 12, dhe i të vdekurve 100. E përsëri gjatë marsit pati më shumë raste të reja dhe më shumë persona të vdekur sesa gjatë janarit e shkurtit bashkë.

Edhe shifrat e të vdekurve janë rritur dukshëm gjatë marsit, ku vetëm nga data 22 mars e deri më 28, pra për një javë 80 persona humbën betejën me COVID-19.

Në anën tjetër, sot është dita e katërt prej kur ka nisur vaksinimi i personelit shëndetësor dhe personave të rrezikuar në dy qendra, në palestrën sportive “1 Tetori” dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Deri tani, numri total i rasteve pozitive me koronavirus ka shkuar në 90 mijë e 430 raste nga 425.850 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Po ashtu, janë regjistruar 1 mijë e 872 raste të vdekjes.

(Kosova Sot Online)