I konfirmohet dënimi me burgim të përjetshëm policit që vrau punëtorin e kazinos në Suharekë

  • G.G /
  • 02 prill 2021 - 12:51
I konfirmohet dënimi me burgim të përjetshëm policit që vrau punëtorin e kazinos në Suharekë

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me burg të përjetshëm ndaj Shefki Spahiut për vrasjen e Jetmir Aliajt.

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e parashtruar nga mbrojtja e Shefki Spahiut për vrasjen e Jetmir Aliajt më 17 marsit të vitit 2019 në një kazino në Suharekë duke vërtetuar dënimin me burg të përjetshëm.

Lajmin për reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.

Ndryshe, Shefki Spahiu më 24 shtator të vitit të kaluar ishte dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu kishte qëndruar në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën- pistoletën e markës “Glock” që ishte arma zyrtare, dhe të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Kurse, për veprën penale manipulim me prova qysh në fillim të gjykimit i akuzuari Spahiu kishte pranuar fajësinë.

Spahiu lidhur me akuzës e vrasjes kishte deklaruar se i ndjeri Jetmir Aliaj e kishte shërbyer me kafe, por sipas tij pas fjalosjes me të ndjerin: “Kam humbur kontrollin dhe vetëdijen, isha i nervozuar dhe ndodhi vrasja, ajo që e pamë në video”, kishte deklaruar i akuzuari Shefki Spahiu.

(Kosova Sot Online)