Blinken ia heq një njollë ShBA-së, ia largon sanksionet kryeprokurores së GjND-së

  • S.A /
  • 03 April 2021 - 08:27
Blinken ia heq një njollë ShBA-së, ia largon sanksionet kryeprokurores së GjND-së

Shtetet e Bashkuara i kanë tërhequr sanksionet ndaj kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Fatou Bensouda.

Asaj i ishin vendosur sanksione gjatë pushtetit të ish-presidentit Donald Trump për shkak të hetimeve që kishte filluar GjND-ja rreth pretendimeve për krime lufte nga forcat amerikane në Afganistan dhe nga Izraeli në territoret palestineze.

Duke njoftuar për këtë vendim, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se sanksionet ishin jo të duhura dhe jo efektive dhe bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me këtë organ ndërkombëtar të drejtësisë, ndonëse ShBA-ja s’është anëtare në të, shkruan BBC.

Blinken tha përmes një deklarate se Uashingtoni vazhdon të mos pajtohet fuqishëm me veprimet e kësaj gjykate në lidhje me situatat në Afganistan dhe Palestinë dhe gjithashtu ka ankesa ndaj përpjekjeve të saj për të kërkuar juridiksion ndaj personit të shteteve joanëtare si ShBA-ja dhe Izraeli.

“Sidoqoftë, ne besojmë se shqetësimet tona rreth këtyre rasteve do të adresoheshin më mirë përmes angazhimit me të gjitha palët në procesin e GjND-së sesa përmes vendosjes së sanksioneve”, tha kryediplomati amerikan.

Vitin e kaluar, administrata e Trumpit e akuzoi këtë gjykatë për shkelje të sovranitetit kombëtar të ShBA-së pasi nisi hetime rreth krimeve të mundshme të luftës të kryera nga trupat amerikane, talibanët dhe forcat afgane në Afganistan.

(Kosova Sot Online )