Mediat që i shërbejnë Vuçiqit fillojnë propagandën për bazën e FSK’së në Mitrovicë

  • G.G /
  • 03 April 2021 - 11:20
Mediat që i shërbejnë Vuçiqit fillojnë propagandën për bazën e FSK’së në Mitrovicë

Kodra e Cërrnushës në Mitrovicë, në lartësi detare mbi një mijë metra, nga e cila shihen katër komuna dhe dhjetëra fshatra në këtë rajon, përkundër që ka pasur aprovimin e NATO’s për ndërtimin e një baze ushtarake të FSK’së atje, ende po shihet me skepticizëm nga mjetet propaganduese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Mediumi serb B92 i ka paraqitur si të terrorizuar qytetarët e Mitrovicës së Veriut nga ndërtimi i kësaj baze ushtarake.

“Kjo bazë është praktikisht si një pikë kontrolli. Është një bazë nga e cila ata mund të veprojnë me armë artilerike në mënyrë që të mos lëvizin askund. Mjafton që andej të gjitha fshatrat dhe pjesa veriore të bombardohen dhe serbët të shohin rrezik në ndërtimin e asaj baze”, thuhet në prononcimin e një qytetari serb në Veri, të siguruar nga B92.

Të njëjtit kanë përmendur edhe një deklaratë të Presidentit të të ashtuquajturit Komiteti për Kosovën, Milovan Drecun, në Parlamentin serb.

“Ata do të kenë terren trajnimi, do të kenë stacione vëzhgimi dhe do të jenë në gjendje të kryejnë një lloj kryqëzimi të shpejtë nga ajo zonë, dmth depërtimi i shpejtë dhe vendosja në veri të Kosovës deri në vijën administrative me Serbinë qendrore do të parandalojë furnizimin e mundshëm të ndihmave nga Beogradi për popullatën serbe të rrezikuar”, deklaroi Drecun.

Megjithatë, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) ka ofruar mbështetje për FSK’në lidhur me këtë çështje. Një zëdhënës i NATO’s ka thënë se qëndrimi i organizatës mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës është i qartë dhe konsistent, duke theksuar se mbështesin zhvillimin e FSK-së sipas mandatit të saj fillestar, si një forcë për mbrojtje civile.

“Qëndrimi ynë për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka qenë i qartë dhe konsistent. Ne mbështesim zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas mandatit të saj fillestar, pra të një force për mbrojtje civile. Pas ndryshimit të mandatit, ne po e rishqyrtojmë nivelin tonë të angazhimit në FSK”, ka thënë ky zëdhënës i NATO’s.

Tutje, ai ka theksuar se NATO-ja mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal, teksa ka thënë se misioni i KFOR-it i vazhdon aktivitetet e tij ditore – sipas mandatit të OKB-së – që kanë për synim garantimin e një ambienti të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

(Kosova Sot Online)