Lajmërohet Albin Kurti para seancës për presidentin: Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti

  • E.K /
  • 03 April 2021 - 16:42
 Lajmërohet Albin Kurti para seancës për presidentin: Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mbrëmë fitoi opozita e sonte duhet të fitojë shteti kur të zgjidhet Vjosa Osmani presidente në seancë e caktuar për presidentin në ora 18:00.

“Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti. Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë”, ka shkruar ai.

Kurti ka shkruar në Facebook se pasi nuk kishin 2/3 e pranishmëve mbrëmë në sallë nuk arritën për ta proceduar projektligjin për zgjedhjet.

“Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve. Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona”, ka thënë ai.

Kryeministri u shpreh se pasi të zgjedhet Vjosa Osmani presidente do të punojnë me opozitën që ta përmbyllin reformën zgjedhore.

“Ky Projektligj nuk kishte të bënte me reformën zgjedhore. Sidoqoftë, ai sot nuk është aktual. Sot kemi seancën për zgjedhjen Presidente të znj. Vjosa Osmani. Menjëherë pas kësaj formojmë komisionin ku bashkë me opozitën punojmë, pajtohemi dhe sivjet e përmbyllim reformën zgjedhore”, tha shefi i ekzekutivit.

(Kosova Sot Online)