Dastid Pallaska: Reagimi ndaj deklaratave të Kastratit i duhur, por reaguan ata që i nxisin vet sharjet dhe ofendimet

  • E.K /
  • 05 April 2021 - 12:39
Dastid Pallaska: Reagimi ndaj deklaratave të Kastratit i duhur, por reaguan ata që i nxisin vet sharjet dhe ofendimet

Avokati i njohur, Dastid Pallaska, ka thënë se gjuha ofenduese e deputetit të PDK’së, Ardian Kastratit është e papranueshme.

Megjithatë përmes një shkrimi në rrjetin e tij social Facebook, ai ka thënë se më të zëshmit në reagimin ndaj Kastratit janë vetë ata që nxisin, arsyetojnë dhe trimërojnë gjuhën fyese.

Sipas tij, reagimi kundër rastit të djeshëm nga politikanët që kanë përfituar nga kjo gjuhë e urrejtjes është i pasinqertë dhe duhet të dënohet si hipokrizi.

“Problemi që kam me reagimin është se më të zëshmit në këtë reagim janë ata/o që vet nxisin, arsyetojnë dhe trimërojnë tufa të njerëzve të paedukatë që çdo ditë në rrjetet sociale ofendojnë e shajnë në mënyrën më vullgare kritikuesit e tyre politikë”, ka shkruar ai.

Shkrimi i tij i plotë:

Reagimi publik ndaj deklaratave seksiste dhe denigruese të një deputeti të PDK-së pas zgjedhjes së djeshme të Presidentes së Kosovës është me vend dhe i duhur.

Këtë gjuhë ofenduese dhe denigruese e konsideroj të papranueshme dhe e kam dënuar si kur është përdorur ndaj të tjerëve ashtu edhe ndaj meje personalisht.

Problemi që kam me reagimin është se më të zëshmit në këtë reagim janë ata/o që vet nxisin, arsyetojnë dhe trimërojnë tufa të njerëzve të paedukatë që çdo ditë në rrjetet sociale ofendojnë e shajnë në mënyrën më vullgare kritikuesit e tyre politikë.

Për këtë arsye, reagimi kundër rastit të djeshëm nga politikanët që kanë përfituar nga kjo gjuhë e urrejtjes është i pasinqertë dhe duhet të dënohet si hipokrizi.

Nëse këta përfaqësues dhe profiterë të politikës së rrugaçërisë dëshirojnë të japin kontribut në lidhje me këtë problem shoqëror këtë mund ta bëjnë duke hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga ofendimi dhe denigrimi i kundërshtarëve politikë si instrument i politikëbërjes.

(Kosova Sot Online)