Irani ngre aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve për rrëzimin e aeroplanit me civilë, 176 vdiqën

  • G.G /
  • 06 April 2021 - 12:56
Irani ngre aktakuzë ndaj 10 zyrtarëve për rrëzimin e aeroplanit me civilë, 176 vdiqën

Autoritetet iraniane njoftuan se kanë ngritur aktakuzë ndaj dhjetë zyrtarëve për rrëzimin e aeroplanit të kompanisë “Ukraine International Airlines”, me ç’rast kishin vdekur 176 personat që ndodheshin në të.

Gholam Abbas Torki, ish-prokuror ushtarak për Provincën e Teheranit, tha të martën se dhjetë zyrtarë janë sjellë para përgjegjësisë dhe do të përballen me gjykim për të arritur në përfundimet e nevojshme rreth incidentit të janarit të vitit të kaluar.

Teherani fillimisht kishte pretenduar se aeroplani është rrëzuar vetë, por tri ditë pas tragjedisë së Fluturimit PS752, që për destinacion e kishte Kievin e Ukrainës, pranoi se është goditur pa qëllim nga sistemi i mbrojtjes ajrore, shkruan Free Europe.

Forcat iraniane patën deklaruar se e rrëzuan aeroplanin e tipit “Boeing 737” pasi menduan gabimisht se është raketë sulmuese në një periudhë kur Republika Islamike kishte tensione të larta me Shtetet e Bashkuara, pas vrasjes së komandantit iranian, Qassem Soleimani.

Organizata e Aviacionit Civil, përmes një raporti preliminar, ka vlerësuar se tragjedia ka ndodhur si pasojë e keqvendosjes së një sistemi radarësh dhe mungesës së komunikimit mes operatorit të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe komandantëve të tij.

Në mesin e viktimave, 82 ishin iranianë, 63 kanadezë, dhjetë suedezë, katër afganë, tre britanikë dhe tre gjermanë.

(Kosova Sot Online)