​Nënshkruhet marrëveshja që ua mundëson zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë të mësojnë gjuhen frënge

  • E.K /
  • 13 April 2021 - 12:59
 ​Nënshkruhet marrëveshja që ua mundëson zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë të mësojnë gjuhen frënge

Ambasada e Francës në Kosovë dhe Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nënshkruan të martën Memorandum Mirëkuptimi mes dy institucioneve, Protokolli i marrëveshjes trepalëshe për kurse të gjuhës frënge të nivelit fillestar të zyrtarëve të Kosovës 2020-2021, përmes të cilave do t’u mundësohet zyrtarëve të lartë të vazhdojnë mësimin e gjuhës frënge si dhe do të ndihmojë në përparimin e frankofonisë në përgjithësi.

Drejtori i Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sabri Kiçmari ka vlerësuar marrëveshjen lidhur me kurset e gjuhës frënge për zyrtarët e Kosovës, duke theksuar se Franca mbetet vendi mik për qytetarët e Kosovës.

“Është një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe Francën nënshkrimi i marrëveshjes lidhur me kurset e gjuhës frënge për zyrtarë të Kosovës. Franca ka qenë dhe mbetet një vend i dashur dhe vend mik për qytetarët e Kosovës. Përmes aktit të sotëm te bashkëpunimit ne po hapim një mundësi të mirë për të gjithë diplomatët për të mësuar gjuhën frënge dhe për të ndjekur trajnime”, tha ai.

Ambasadorja e Francës në Kosovë derisa ka treguar për kurset e gjuhës frënge për zyrtarë duke thënë edhe se këto trajnime do të mund të përforcojnë administratën publike të Kosovës.

“Siç edhe e dini kurset e gjuhës frënge të nivelit fillestarë përfundojnë këtë javë. Këta zyrtarë të lartë kosovarë do të mund të vazhdojnë të mësojnë gjuhën frënge në nivel më të lartë falë kësaj marrëveshje.. Shpresojmë se do të arrijmë të realizojmë seminarin ‘Veprimtaria politike’. Këto aktivitete si tërësi do të kontribuojnë të përparojnë frankofoninë në Kosovë. Në të njëjtën kohë, këto trajnime do të mund të përforcojnë administratën publike në Kosovë”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)