“Komandant Ujku” në Speciale: Akuzat qesharake, s’ka pasur nevojë të bëhej ky film, s’kam bërë ndonjë krim

  • E.K /
  • 19 April 2021 - 15:38
 “Komandant Ujku” në Speciale: Akuzat qesharake, s’ka pasur nevojë të bëhej ky film, s’kam bërë ndonjë krim

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala është paraqitur për herë të parë para Gjykatës Speciale.

“Komandant Ujku”, pasi u pyet nga gjykatësi Nicolas Guillou nëse i ka kuptuar akuzat të cilat i ngarkohen, tha: “Po i nderuar, i kuptova. Qesharake më duken”.

Atij paraprakisht iu lexuan të drejtat, ndërsa kur është pyetur nëse i kuptoi ato, Shala ka folur për arrestimin e tij.

“Nuk ka pasur nevojë të bëhet arrestimi e kyfarë filmi. Vetëm një ftesë dhe unë vij paraqitem vetë”, ka thënë ai, duke treguar se kjo nuk është vizita e tij e parë në atë objekt.

Më pas, ai është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat.

“Unë nuk e ndiej veten se kam bërë ndonjë krim, përceçse kam mbrojtur atdheun tim dhe popullin tim dhe ndihem i pafajshëm”, tha Shala.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim  lëshuar nga Gjykata Speciale.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala akuzohet për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet ai pretendohet se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që thuhet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

(Kosova Sot Online)