Gjendet në plazh një peshkaqen gjigand, mënyra si ka ngordhur ngelet mister për ekspertët

  • E.K /
  • 27 April 2021 - 13:51
 Gjendet në plazh një peshkaqen gjigand, mënyra si ka ngordhur ngelet mister për ekspertët

Kufoma e një peshkaqeni gjigand u gjend në plazh këtë fundjave dhe ka hutuar ekspertët se si ka ngordhur.

Peshkaqeni basking femër shtatë metra i gjatë u zbulua në Inchydoney të premten dhe mund të zhbllokojë sekretet e racës që po popullojnë ujërat Irlandeze. Është e pamundur të zbulohet se si vdiq pasi nuk ka tregues apo shenja të dukshme në trupin e tij.

Gjatë fundjavës, ekipet nga Grupi Irlandez Balenë dhe Delfin, Departamenti i Zoologjisë i Kolegjit Trinity të Dublinit dhe Këshilli i Qarkut Cork mbërritën për të copëtuar kafshën për ta analizuar, shkruan CorkBeo.

Dr Nicholas Payne, një pedagog në Trinity, tha: Sigurisht që është e trishtueshme të shohësh një kafshë kaq të madhe të bukur si kjo, por është diçka pozitive që të zbulosh diçka prej saj. Ne nuk e dimë vërtet se si peshkaqeni vdiq. Kishte ushqim në stomak dhe nuk dukej sikur kishte gëlltitur ndonjë gjë të çuditshme që mund t’i bënte dëm. Nuk kishte asnjë provë që ajo është sulmuar nga diçka tjetër.

Dr Payne tha se peshkaqeni ishte rreth shtatë metra e gjysmë i gjatë, por peshkaqenët e rritur tamam të kësaj race mund të arrijnë deri në 10 metra gjatësi. Besohet se peshkaqeni nuk kishte arritur moshën e rritur.

“Është e trishtueshme që nuk jetoi më gjatë, por tepër magjepsëse në të njëjtën kohë. Mostra ishte e freskët, është e pazakontë të gjesh një peshkaqen në gjendje kaq të mirë, zakonisht gjejmë një kufomë të kalbur që ka vdekur para shumë javësh. Kjo e bën punën tonë më të rehatshme për ne, ne mund të marrim informacione më të mira prej tij dhe të vëzhgojmë të gjithë muskujt dhe indet. Ne marrim informacione shkencore shumë më të mira nga ajo”, është shprehur ai.

Ekipet vunë re gjetje plastike në stomakun e kafshës për shkak të sasive të mëdha të ndotjes në ujëra, por nuk kishte prova të qarta që çuan në vdekjen e peshkaqenit. Ata kanë marrë mostra në laborator për analiza të përparuara, por kufoma e peshkaqenit u varros të shtunën në mbrëmje.

Këta lloj peshkaqenësh shpesh shihen në ujërat e Irlandës Jugore në këtë kohë të vitit për t’u ushqyer para se të udhëtojnë në veri.

Dr Payne tha që krijesat gjigande janë të buta dhe ushqehen në mënyrë të ngjashme me balenat dhe kanë dhëmbë të vegjël.

Ai shtoi se nuk ka rrezik real për t’u kafshuar, por njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm pasi janë të mëdhenj dhe mund të tremben nëse dikush është afër.

(Kosova Sot Online)