Rënia e testimeve, IKSHPK jep një arsye

  • A.P /
  • 27 April 2021 - 17:27
Rënia e testimeve, IKSHPK jep një arsye

Ditëve të fundit në vend ka pasur rënie e numrit të testimeve të kryera për COVID-19. Derisa para 2 javësh kryheshin mbi 5 mijë testime, sot numri i testimeve të kryera ishte 2 mijë e 285, ndërsa ditën e djeshme, u testuan 1.559 persona. Nga IKSHPK japin arsyetimin e tyre për rënien e testimeve për COVID-19.

Nga mbi 5 mijë testime sa kryheshin para dy javësh, numri i tyre është ulur deri në më pak se dy mijë.

Për uljen e këtij numri të testimeve u kritikua ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ndonëse ky i fundit u deklarua se me të marrë mandatin e ministrit, janë kryer më shumë testime se gjatë kohës së ish-ministrit Armend Zemaj.

Ndërsa, nga të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, del se gjatë 35 ditëve të fundit, që kur Vitia ka marrë detyrën e ministrit, janë kryer rreth 15 mijë testime më shumë se 35 ditë para se ai të merrte detyrën.

Nga 23 marsi deri më 27 prill janë kryer 134 mijë e 797 testime, ndërsa nga 15 shkurti deri më 22 mars, kur Armend Zemaj ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer 119 mijë e 774 testime.

Përkundër debateve se kush kreu më shumë testime, meritë e numrit të lartë të testimeve thuhet se nuk janë as ministri Vitia e as ministri Zemaj.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë thënë se testimet kryhen në bazë të interesit të qytetarëve.

Zyrtarë në IKSHPK kanë thënë  se të gjithë ata qytetarë që kërkojnë të testohen i testojnë.

Sipas tyre, numri i ulët i testimeve është për shkak të mos interesimit te qytetarëve.

Nga IKSHPK është thënë po ashtu se ka raste që edhe pa udhëzime të mjekut i testojnë, por që përsëri interesimi i qytetarëve është ulur.

Ndërsa, edhe Florie Hyseni, specialiste e mjekësisë familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka thënë  se numri i pacientëve që po kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të simptomave që kanë e që dyshohet të jenë të COVID-19, është më i ulët së fundmi.

Ajo ka deklaruar se të gjithë atyre personave që kanë simptoma të COVID-19 u kërkojnë që të testohen ose të vetëizolohen.

“Ka rënë numri i pacientëve që kërkojnë shërbime, dhe ka rënë shumë edhe i atyre me COVID. Numri i pacientëve është më i ulët që një javë e më shumë. Ne i kemi rekomandimet e shkruara dhe ju përmbahemi atyre, varësisht prej rastit i dërgojmë në izolime ose në testime”, ka deklaruar ajo.

Për uljen e numrit të testimeve ditëve të fundit nga opozita është fajësuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Megjithatë ky i fundit dje ka deklaruar se pas marrjes së detyrës së ministrit, janë kryer për mbi 13 për qind më shumë vaksina.

Vitia, në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se në 28 ditët e kabintetit të ministrisë që po udhëhiqet nga ai, janë bërë 13.64% më shumë testime sesa në 20 ditët paraprake, të qeverisë së kaluar.

Kujtojmë që me uljen e numrit të testimeve ka rënë edhe numri i rasteve të infektuara me COVID-19.

(Kosova Sot Online)