Eskalon pandemia në Indi, rekord i frikshëm botëror i rasteve me Covid-19

  • S.A /
  • 01 May 2021 - 08:44
Eskalon pandemia në Indi, rekord i frikshëm botëror i rasteve me Covid-19

Eskalon pandemia në Indi, rekord i frikshëm botëror i rasteve me Covid-19

Gjendja jashtëzakonisht e rëndë me pandeminë në Indi nuk është duke shfaqur shenja të përmirësimit. Gjatë 24 orëve të fundit në këtë shtet u regjistrua rekord i ri botëror i rasteve me Covid-19 për një ditë – 401 mijë e 993.

Përpos rekordit të infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënua edhe shifra më e lartë ditore e viktimave në nivel vendi me 3.523 të vdekur për një ditë. Kështu, shifra e përgjithshme e viktimave shkoi në mbi 211 mijë. Sidoqoftë, ekspertët besojnë se numri i vërtetë është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.

Disa shtete i kanë pezulluar fluturimet nga India, duke marrë hapa për t’u mbrojtur nga variantet më ngjitëse të virusit.

India, prodhuesja më e madhe në botë e vaksinave kundër Covid-19, e ka kufizuar numrin e dozave brenda vendit, duke e rënduar edhe më shumë gjendjen me pandeminë. Spitalet janë të stërmbushura me pacientë, ndërsa ka vështirësi edhe për gjetjen e hapësirave për djegien e trupave të pajetë.

Reklamë

Disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, kanë nisur ndihma mjekësore drejt Indisë.

Përpos gjendjes së rëndë me infeksione, India të premten u përball edhe me një fatkeqësi tjetër – 18 persona vdiqën nga zjarri në një spital për Covid-19 në rajonin Gujarat.

(Kosova Sot Online )