Ky vend fillon të shpërndajë ilaçe për HIV përmes dronëve

  • E.K /
  • 04 May 2021 - 08:57
Ky vend fillon të shpërndajë ilaçe për HIV përmes dronëve

Uganda ka vendosur që të shfrytëzojë një mënyrë më inovative për dërgimin e ilaçeve te pacientët që jetojnë në disa ishuj të Liqenit Viktoria – me dronë.

Autoritetet shëndetësore pritet të realizojnë 20 fluturime të dronëve në muaj. Këto mjete fluturuese do të transportojnë kryesisht ilaçe kundër HIV-it për 78 komunitete dhe qendra shëndetësore në ishujt Ssese, ku shkalla e HIV-it është më e larta në Ugandë.

I ndodhur rreth 100 kilometra larg kryeqytetit Kampala, distrikti Kalangala e ka prevalencën e HIV-it 18 për qind, shumë më lart se mesatarja kombëtare prej 5.6 për qind. Sipas vlerësimeve të qeverisë, kjo shifër mund të shkojë deri në 40 për qind në disa komunitete.

Shpërndarja e ilaçeve dhe realizimi i kujdesit shëndetësor është i rrezikshëm për punëtorët dhe varet nga moti, sepse udhëtimi në ato zonë është i mundshëm vetëm përmes barkave. Shpresohet që dronët, që mund të bartin ngarkesë njëkilogramëshe dhe fluturojnë 150 kilometra, do të ofrojnë ndihmë në këtë aspekt.

Fillimisht, për këtë lloj transporti u realizua një pilot-projekt, me anë të të cilit u transportuan ilaçe për më shumë se 1.000 persona të infektuar me virusin HIV. Projekti u përkrah nga Ministria e Shëndetësisë dhe Akademia për Inovacion Shëndetësor.

Dronët do të kontrollohen nga ekspertët e trajnuar, të cilët do t’i vëzhgojnë fluturimet dhe lëshimet e këtyre mjeteve, shkruan The Guardian.

Shoqata Mjekësore e Ugandës e mirëpriti këtë projekt, por u shpreh e shqetësuar për mungesën e ilaçeve për shkak të financimit jo të duhur.

(Kosova Sot Online)