Aleksander Lukashenko paditet në Gjermani për krime kundër njerëzimit

  • E.K /
  • 05 May 2021 - 11:23
 Aleksander Lukashenko paditet në Gjermani për krime kundër njerëzimit

Disa avokatë kanë paraqitur ankesë kriminale në Gjermani në emër të dhjetë bjellorusëve, me të cilën pretendohet se presidenti autoritar i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ka kryer krime kundër njerëzimit.

Duke vepruar në emër të viktimave të torturës, avokatët thanë të mërkurën se kanë dorëzuar ankesë te prokurorët federalë në qytetin Karlsruhe kundër Lukashenkos dhe zyrtarëve tjerë bjellorusë të sigurisë.

Avokatët thanë se as Lukashenko, as zyrtarët e sigurisë nuk përballen me pasoja ligjore në Bjellorusi për përdorimin e forcës dhe torturimin e qytetarëve të arrestuar atje. Prandaj, thanë ata, po i bëjnë thirrje Gjermanisë që të kryejë një hetim të pavarur rreth krimeve të pretenduara.

Avokatët iu referuan të ashtuquajturit juridiksion universal, i cili e ofron mundësinë e ndjekjes penale për krimet që e shkelin ligjin ndërkombëtar, edhe kur ato kryhen në shtete tjera, shkruan Free Europe.

Lukashenko, në pushtet që nga viti 1994, u shpall zyrtarisht fitues i zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke nxitur protesta masive dhe akuza për mashtrime. Zyrtarët e sigurisë i kanë shtypur protestuesit, duke arrestuar mijëra prej tyre. Në mesin e të arrestuarve ka edhe gazetarë. Shumë liderë të opozitës janë detyruar që të largohen nga vendi.

(Kosova Sot Online)