Barkat franceze s’guxojnë t’iu afrohen luftanijeve britanike, Franca nis anije xhandarmërie

  • E.K /
  • 06 May 2021 - 12:27
 Barkat franceze s’guxojnë t’iu afrohen luftanijeve britanike, Franca nis anije xhandarmërie

Gazeta britanike, Express UK, ka raportuar se Franca ka dërguar një anije xhandarmërie drejt ishullit Jersey, vetëm disa orë pasi një shef i peshkatarëve francezë deklaroi se vendi është i gatshëm për luftë me ishullin e vogël.

Vetëm pak më shumë se një orë pas grumbullimit të barkave franceze të peshkimit, Franca dërgoi drejt ishullit anije më të mëdha për të asistuar.

Anija e xhandarmërisë franceze e tipit Athos A712 është parë duke lundruar me shpejtësi maksimale drejt ishullit dhe besohet se është e shoqëruar nga anija patrulluese, Le Themis.

Rreth 60 barka të peshkatarëve francezë janë grumbulluar afër ishullit britanik, Jersey, në shenjë proteste rreth vështirësive për të peshkuar në ujërat britanike pas rregullave të reja për periudhën pas Brexit-it. Sidoqoftë, lundrimi i tyre po kufizohet nga dy luftanijet britanike – “HMS Severn” dhe “HMS Tamar”.

Protesta e peshkatarëve francezë erdhi disa ditë pasi ministrja franceze për Ujëra kërcënoi se vendi i saj do t’ia ndalte energjinë elektrike ishullit britanik, nëse procesi i lëshimit të lejeve për peshkatarët nuk ndryshon, shkruan “Jersey Evening Post”.

Rreth 60 barka franceze janë afër bregdetit jugor të ishullit britanik. Më herët në mëngjes, ato u futën në liman, por tashmë janë larguar dhe po grumbullohen afër Kështjellës së Elizabetës.

Protestuesit francezë po kërkojnë që para tyre të dalë dhe të flasë një përfaqësues i autoriteteve të ishullit.

(Kosova Sot Online)