Një person nga Malisheva falsifikonte diploma, Gjykata cakton paraburgim ndaj tij

  • E.K /
  • 08 maj 2021 - 15:53
Një person nga Malisheva falsifikonte diploma, Gjykata cakton paraburgim ndaj tij

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit H.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘falsifikimi i dokumenteve’.

Paraburgimi i caktuar është në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 06.05. 2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 06.06.2021.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit H.M., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“I pandehuri H.M., në periudhën kohore Janar – Mars të vitit 2021, në Malishevë, pikërisht në agjencinë e tij, i njëjti përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit dhe atë 23 diploma të lëshuara në emër të personave të ndryshëm banor të komunave të ndryshme të Republikës së Kosovës për të cilat është pretenduar që janë lëshuar nga një Shkollë e mesme e lartë profesionale në Prizren, dhe të gjitha këto diploma janë përdorur gjatë aplikimit për vizë pune në shtete të BE-së, kurse personat e pajisur me këto diploma kanë paguar 350.00 – 400.00 euro për një diplomë, mirëpo pas verifikimit në librat amë të shkollës profesionale në Prizren, është konstatuar se gjithë këto diploma janë të falsifikuara dhe jo të lëshuara nga kjo shkollë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Gjakovës.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh se hetimet janë në fazën fillestare, dhe para Prokurorisë duhet të dëgjohen të dëmtuarit të cilët kanë blerë këto diploma, i pandehuri dhe ndonjë dëshmitar tjetër eventual.

Gjithashtu me rastin e caktimin të paraburgimit gjyqtarja e procedurës ka marrë parasysh edhe peshën e veprës penale, faktin që dyshohet se janë falsifikuar 23 diploma, si dhe me rastin e urdhër kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, në zyrat e agjencisë të të pandehurit janë gjetur edhe diploma tjera të dyshuara të falsifikuara.

Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

(Kosova Sot Online)