Kur e marrin dozën e dytë të vaksinuarit në Kosovë?

  • A.P /
  • 18 May 2021 - 18:08
Kur e marrin dozën e dytë të vaksinuarit në Kosovë?

Nga 8 qershori qytetarët e vaksinuar me dozë të parë do të mund të marrin dozën e dytë të vaksinës Anti-COVID. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë folur  rreth marrjes së dozës së dytë.

Kosova ka vaksinuar vetëm 46 mijë qytetarë me dozën e parë kundër COVID-19 në Kosovë. E këta që janë vaksinuar deri tani, do të fillojnë të marrin dozën e dytë të vaksinës nga data 8 qershor e këtij viti.

Një informacion të tillë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

“Sipas kartelës së vaksinimit të atyre që janë vaksinuar të parët në Kosovë, orari i vaksinimit për dozat e dyta në Kosove nis nga 8 qershori e tutje. MSh ka bërë planifikimin për dozat e dyta për ata që kanë marrë dozat e para dhe dhënia e dozave të dyta do të nis sipas orarit të përcaktuar edhe në kartelat e të vaksinuarve që kanë marrë dozën e parë”, është thënë nga MSH.

Në kohën kur do të fillojë dhënia e dozës së dytë të vaksinës, Kosova pritet të furnizohet edhe me 100 mijë e 620 vaksina AstraZeneca nga COVAX.

Ndërsa, deri në gusht, vendi do të furnizohet edhe me rreth 87 mijë vaksina Pfizer nga BE’ja.

Kryetari i Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për Express se vaksinat që do të vinë në Kosovë nuk janë meritë e ish-qeverisë e as Qeverisë Kurti.

Andaj, ai ka thënë se nëse të gjithë punëtorët shëndetësorë nuk do të vaksinohen me dozën e dytë të vaksinës, atëherë do të përgatisin padi.

“Këto janë doza nga COVAX. COVAX nuk është meritë as e Qeverisë Hoti as e Qeverisë Kurti, është një proces për vendet e varfra. Nëse ndodh që mos ta marrin edhe dozën e dytë nga Pfizer dhe AstraZeneca, unë do të inicioj padi për rrezikim të shëndetit të punëtorëve shëndetësorë. Për vaksinat Pfizer duhet që për tri deri në 4 javë të e marrë dozën e dytë. Pas 8 muajve edhe tjetrën”, ka thënë ai.

Ndërsa, Syla ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë që po pret furnizim vetëm nga donacionet.

Ndërsa, deputetja nga radhët e AAK’së, Albena Reshitaj ka thënë për gazetën se institucionet e vendit duhet që sa më shpejt të arrijnë marrëveshje për sigurimin e vaksinave.

Ajo ka thënë se derisa buxheti për vaksina është i ndarë, nuk duhet të ketë arsyetime për mossigurimin e tyre.

“Duhet urgjent si institucione të shtetit të bëjmë marrëveshjen dhe të filloj shteti të sigurojë vaksinat. Këto dozat që i kemi marrë nuk janë të mjaftueshme për të bërë një imunizim më kolektiv të popullatës që është shumë e nevojshme. E kemi thënë disa herë që ne i kërkojmë datën dhe numrin e vaksinave që Kosova duhet ta ketë. Çdo ditë e humbur është risk për shëndetin e qytetarëve”, ka shtuar ajo.

Deri ditën e djeshme në Kosovë janë vaksinuar 46 mijë e 97 qytetarë.

Procesi i vaksinimit po vazhdon me personat mbi 65 vjeç.

(Kosova Sot Online)