Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë: Vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit s’po zbatohet

  • E.K /
  • 19 May 2021 - 11:21
 Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë: Vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit s’po zbatohet

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka kritikuar institucionet kosovare për moszbatimi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën në Manastirin e Deçanit.

Szunyong ka shkruar në Twitter se i vjen keq që edhe pas 5 viteve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ai ende s’po zbatohet.

“Më vjen keq që 5 vjet që kur Gjykata Kushtetuese vendosi mbi mosmarrëveshjen e tokës në Deçan,  vendimi ende nuk po zbatohet. Kosova mund të ecë përpara vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik”, ka shkruar ai.

Ndërkaq dje, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i kanë dërguar letër Presidentit Ekzekutiv të Europa Nostra në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve më të rrezikuara në Europë.

Në letër thuhet se vendimi i Europa Nostra është i padrejtë dhe i ndikuar politikisht

“Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të Europa Nostra”, thuhet në letrën e dy ministrave

(Kosova Sot Online)