KPMShCK për një vit shpenzoi 273 mijë euro, prej tyre 195 mijë për paga dhe mëditje

  • E.K /
  • 19 May 2021 - 11:56
 KPMShCK për një vit shpenzoi 273 mijë euro, prej tyre 195 mijë për paga dhe mëditje

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere është shqyrtuar raportit vjetor financiar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) për vitin 2020. Për të cilin ka raportuar Miran Zeneli sekretar i këtij Këshilli , ku theksoi se nga buxheti prej 360 mijë euro kanë shpenzuar 273 mijë euro, prej tyre 195 mijë euro paga dhe mëditje, si dhe për mallra dhe shërbime janë shpenzuar 77 mijë euro

Zeneli tha se shpenzimet e këtij buxheti janë bërë në pajtim me ligjin në fuqi.

Deputeti nga VV Visar Korenica ka ngritur çështjen e rritjes së shpenzimeve për paga pas orarit të punës dhe rritjen e shpenzimeve për dreka dhe darka, ndërsa ulje të shpenzimeve për sigurimin e automjeteve edhe pse ka rritje të çmimit të primit.

“Keni tejkaluar shpenzimet për dreka dhe darka. Shpenzimi i sigurimit të automjeteve është ulë edhe pse primi është rrit”, tha Korenica.

Islam Caka zyrtar financiar në Këshill, tha se sa i përket tejkalimit është një shumë e vogël. Ndërsa, sa i përket sigurimeve, Caka tha se numri i automjeteve në Këshill është zvogëluar.

Pas shqyrtimit, Komisioni ka shtyrë votimin e këtij raporti për mbledhjen e ardhshme, meqë pati disa vërejtje nga diskutimet dhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Komisioni sot kishte paraparë edhe shqyrtimin e Raportit të Bankës Qendrore të Kosovës për të gjeturat e Raportit të Progresit për vitin 2020, për të cilin raport do të kishte raportuar guvernatori Fehmi Mehmeti, por për shkak të vazhdimit të seancës plenare sot në orën 11:00 për planin e qeverisë, Komisioni ka shtyrë për një mbledhje tjetër.

Komisioni me shumicë votash ka miratuar Raportin vjetor financiar i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.

(Kosova Sot Online)