Kurti e uroi kryeministrin grek për 200 vjetorin e Revolucionit, Mitsotakis e falenderon me një letër

  • A.P /
  • 19 May 2021 - 17:09
Kurti e uroi kryeministrin grek për 200 vjetorin e Revolucionit, Mitsotakis e falenderon me një letër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër falënderim nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për urimin që i ka bërë atij me rastin e 200- vjetorit të revolucionit grek, njofton ZKM.

Në letër falënderim, kryeministri Mitsotakis ka riafirmuar përkushtimin e Greqisë në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes dy vendeve.

Greqia do të vazhdojë qasjen e saj konstruktive në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, me synim përforcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajon, thuhet në letër.

Letra e plotë:

I nderuar z. Kurti, Ju falënderoj shumë për urimet tuaja për Festën Kombëtare të Greqisë, e cila, këtë vit, shënon 200 vjetorin e fillimit të Revolucionit Grek.

Shfrytëzoj rastin që t’ju përgëzoj për marrjen e detyrave dhe t’ju uroj çdo sukses në punën tuaj.

Do të dëshiroja, në këtë kontekst, të riafirmoj se Greqia vijon të mbetet e përkushtuar në promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë.

Në të njëjtën kohë, vendi im do të vazhdojë qasjen e tij konstruktive, në kuadër të promovimit të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, me synim përforcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin tonë. Më lejoni t’ju shpreh vlerësimin tim më të lartë.

(Kosova Sot Online)