“Shko se e ke gati”/ Përdhunimi i 15 vjeçares, xhaxhai zbulon kush ishte ‘kapo’ i bandës: Kjo lahet vetëm me fishekë, do t’i vrisnim të pestë …

  • G.G /
  • 20 May 2021 - 12:13
“Shko se e ke gati”/ Përdhunimi i 15 vjeçares, xhaxhai zbulon kush ishte ‘kapo’ i bandës: Kjo lahet vetëm me fishekë, do t’i vrisnim të pestë …

Dëshmi tronditëse vijnë nga Lezha, aty ku një ditë më parë u zbulua përdhunimi në grup i një të miture 15 vjeçe.

Xhaxhai i vajzës së mitur rrëfeu për emisionin “Me zemër të hapur”, në News24, se kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në trevat shqiptare ndonjëherë, ndërsa kërkoi drejtësi, pasi në të kundërt, ai paralajmëroi vetëgjyqësi.

Sipas xhaxhait, autori kryesor i ngjarjes tronditëse është 31-vjeçari Artan Kaçorri, burrë i martuar dhe me fëmijë, i cili e ka mashtruar vajzën si fillim me një telefon, dhe më pas i ka kërkuar të bëjnë një xhiro me makinë, prej ku i ka dhënë një pije me shishe të hapur dhe pikërisht aty ka nisur gjithçka.
Rrëfimi i xhaxhait të 15-vjeçares:

Çfarë po ndodh në familjen tuaj?

Ne jemi një familje me tradita. Kjo është tragjedi për familjen tonë. Kemi djem të ri, burra të vjetër, të mençur, i kemi të gjitha. Kjo ngjarje ka filluar pas 7 marsit dhe deri më tani. Adrian Gjikola nuk është i dashuri i vajzës dhe as ka qenë. Zanafilla e këtij problemi është Artan Kaçorri, 31-vjecar, burrë i martuar, sa fëmijë ka nuk e di. Ai ka lekë, ka një ofiçinë, ka marrë një celular dhe ja ka dhënë vajzës si dhuratë, duke qenë familje e varfër.

Si i është afruar vajzës ai?

E di ai. Është banor i fshatit tonë, njihemi me të, 2 km i kemi shtëpitë larg. Mbesa e dinte që ai ishte i martuar. Ai e ka mashtruar me celularin, më pas ky i ka marrë numrin, e ka marrë në telefon dhe i ka thënë ‘hajde hip në makinë, të dalim një xhiro’.

Pastaj, po ky djaloshi e ka marrë në makinë, e ka çuar në pyll, i ka dhënë një pije me shishe të hapur. Ky Artan Kaçorri është strumbullari i kapobandës. Pas pijes, vajës i është bërë vendi jeshil, nuk e ka ditur çfarë po bënte, dhe ka filluar marrëdhënien intime me të.

Pas kësaj, ai i ka thënë mos t’i tregojë askujt, se do t’i vrasë familjarët. Ky burri i mirë, një mekaniku tjetër, që ka 10 metra larg, i ka dhënë numrin e vajzës dhe i ka thënë ‘shko se e ke gati’. Ai i ka thënë ‘unë e di cfarë ke bërë ti me të, hajde dhe ti me mua’. Kanë shkuar bashkë, i kanë dhënë të njëjtën pije dhe ka vazhduar programi. Kjo ka vazhduar për dy muaj.

Pastaj, nipi i Kacorrit i ka marrë leje dajës së tij ‘a të shkoj edhe unë’, se vajza gjoja ishte bërë pronë e 31-vjeçarit. Është edhe një tjetër, që ne e kemi fis, është kushëriri jonë, por faqezi edhe ai. Madje, nëna e tij, kur mori vesh ngjarjen, ka thënë ‘inshalla vjen i vdekur në shtëpi djali’. Vajza nuk ka pasur guxim të tregojë, sepse ka qenë nën kërcënim.

Para tre ditësh, nëna e vajzës rastësisht i ka zbuluar telefonin. Është munduar t’ia fsheh vajza, por e ëma s’e ka lëshuar më nga dora. Ajo ka thirrur vajzën tjetër, që ka në shkollë të lartë, dhe i ka thënë të vijë t’i nxjerrë mesazhet. Pastaj, ka njoftuar burrin dhe të gjithë burrat e tjerë të shtëpisë. Ne u munduam të marrim një vendim, se kjo ngjarje është një monstër.

Unë jam 73 vjeç dhe deri më sot nuk e di që ka ndodhur në trevat shqipfolëse. Të përdhunosh një vajzë të mitur pa u bërë 15 vjeçe kjo është vrasje, tradhti dhe këtë e lanë vetëm gjaku. Kjo lahet vetëm me fishekë, por ne për momentin i kemi lënë këta të rinj, se nuk vrasim dot 5, por t’i vrasë shteti.

Të vendoset drejtësi për këtë monstër që ka ndodhur dhe të bëhet shembull për gjithë Shqipërinë. Nëse drejtësia nuk e thotë fjalën e saj siç është për t’u thënë, drejtësinë do ta bëjmë ne. Nuk di ç’të them tjetër, kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në trevat shqiptare.

(Kosova Sot Online)