BE-ja: Bjellorusia ta lirojë menjëherë gazetarin Pratasevich, do të marrim masa

  • E.K /
  • 24 May 2021 - 11:31
 BE-ja: Bjellorusia ta lirojë menjëherë gazetarin Pratasevich, do të marrim masa

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që gazetari i pavarur bjellorus, Raman Pratasevich të lirohet nga autoritetet shtetërore.

BE, përmes një deklarate ka paralajmëruar masa kundër përgjegjësve për mbajtjen e gazetarit.

“Kjo situatë do të ngrihet në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian. BE do të marrë në konsideratë pasojat e këtij veprimi, duke përfshirë marrjen e masave kundër atyre që janë përgjegjës”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Më 23 maj, autoritetet bjelloruse detyruan një aeroplan civil të kryente një ulje emergjente në Minsk. Avioni, në pronësi të një kompanie të BE-së, që fluturonte midis dy kryeqyteteve të BE-së dhe kishte më shumë se 100 pasagjerë, u detyrua të ulej nga një aeroplan ushtarak bjellorus.

Një nga pasagjerët e fluturimit, Raman Pratasevich, një gazetar i pavarur nga Bjellorusia, u mbajt nga autoritetet bjelloruse dhe nuk u lejua të hipte në aeroplan në aeroportin e Minskut.

“Kjo është edhe një përpjekje tjetër e qartë nga autoritetet Bjelloruse për të heshtur të gjithë zërat e opozitës”, thuhet në deklaratën e BE-së. “Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Z. Pratasevich”.

BE-ja thotë se autoritetet bjelloruse kanë rrezikuar edhe sigurinë e pasagjerëve tjerë.

“Gjatë kryerjes së këtij akti detyrues, autoritetet Bjelloruse kanë rrezikuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit. Një hetim ndërkombëtar për këtë incident duhet të kryhet për të konstatuar çdo shkelje të rregullave ndërkombëtare të aviacionit”, thuhet në deklaratë.

(Kosova Sot Online)