Ky vend e kthen ministrin e vjetër të Shëndetësisë pasi humbi 4 të tjerë për 8 muaj

  • E.K /
  • 26 May 2021 - 10:33
Ky vend e kthen ministrin e vjetër të Shëndetësisë pasi humbi 4 të tjerë për 8 muaj

Ministri çek i Shëndetësisë, Petr Arenberger, të martën dha dorëheqje më pak se dy muaj pasi e mori detyrën. Ai ishte cak i kritikave nga mediet rreth disa ndërmarrjeve dhe marrëveshjeve biznesore. Ky ministër ishte i katërti që u largua nga Ministria e Shëndetësisë në vetëm tetë muajt e fundit.

Dosja e tij, në shtetin që ka një ndër shkallët më të larta të vdekjeve nga koronavirusi për numër të banorëve, do t’i kthehet Adam Vojtech-ut, i cili shtatorin e kaluar u tërhoq pas përkeqësimit të gjendjes me pandeminë pas një vere me masa të lehtësuara.

Katër muaj para zgjedhjeve, opozita çeke thotë se politika e kryeministrit Andrej Babis për emërimin e personelit është kaotike. Vitin e kaluar, Vojtech u zëvendësua nga një epidemiolog dhe një kolonel ushtrie, i cili dha dorëheqje pasi u kap duke i shkelur masat kufizuese në një restorant, shkruan Reuters.

Një ministër tjetër u detyra të largohej pas mosmarrëveshjeve me kryeministrin Babis dhe nën presionin e presidentit Milos Zeman, i cili pa sukses kishte kërkuar që qeveria ta blinte vaksinën ruse, Sputnik V.

Arenberger ishte drejtor i një spitali në Pragë para se t’i bashkohej qeverisë më 7 prill, kur Çekia po dilte nga vala më e rëndë e pandemisë deri më tash.

Sidoqoftë, numri ditor i rasteve ka rënë dukshëm nga rreth 17 mijë sa ishte në kulmin e gjendjes së rëndë në janar dhe mars në 695 të raportuara të hënën.

(Kosova Sot Online)