Ministri Vitia thotë se gjendja me pandeminë do të vazhdojë të jetë stabile, tregon se si duhet të regjistrohen qytetarët për vaksinim

  • E.K /
  • 01 June 2021 - 10:47
Ministri Vitia thotë se gjendja me pandeminë do të vazhdojë të jetë stabile, tregon se si duhet të regjistrohen qytetarët për vaksinim

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi lidhur me menaxhimin e pandemisë, procesin e vaksinimit si dhe strategjinë legjislative të ministrisë.

Me këtë rast, Vitia ka thënë se gjendja me pandeminë pritet të jetë stabile edhe më tej.

Këtu ai i është referuar të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik duke deklaruar se janë të prirur t’i besojnë analizave të ekspertëve.

Përndryshe, Vitia ka përmendur edhe regjistrimin e qytetarëve për t’u vaksinuar.

Ai ka thënë se përveç regjistrimit online, qytetarët mund të regjistrohen edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunat e tyre.

Ndërsa, ai ka thënë se atyre që nuk mund të regjistrohen e as të shkojnë për ta marrë vaksinën, do t’u shkojnë në shtëpi ekipet mobile.

“Përveç aplikimit në faqen E-Kosova është edhe mundësia e regjistrimit në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Po ashtu do të formohen edhe ekipe mobile për të gjithë ata qytetarë që do ta kenë të pamundur të regjistrohen dhe të shkojnë për ta marrë vaksinën, andaj do të shkojnë ekipet mobile te ta”, ka thënë ai.

Vitia është shprehur se qytetarët duhet të vazhdojnë të respektojnë masat mbrojtëse, duke deklaruar se në shumë shtete edhe pse është vaksinuar një pjesë e madhe e qytetarëve, nuk janë ulur shifrat e infektimit.

(Kosova Sot Online)