Albin Kurti deklarohet pas takimit me Vjosa Osmanin: Për VV’në sa më herët zgjedhjet, aq më mirë

  • E.K /
  • 02 June 2021 - 14:41
 Albin Kurti deklarohet pas takimit me Vjosa Osmanin: Për VV’në sa më herët zgjedhjet, aq më mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, ku është folur për datën e zgjedhjeve lokale, ka folur në një konferencë për media.

Kurti deklaroi se partia e tij konsideron se zgjedhjet duhet të mbahen në tetor. Ai tha se sa më herët të mbahen, aq më mirë.

Kurti i cili në takimin me Osmanin sot ishte në cilësinë e kreut të VV’së, tha se pas takimeve të Presidentes me krerët e partive tjera, do të vendoset për datën e zgjedhjeve.

“Patëm një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Vjosa Osmani, lidhur me zgjedhjet lokale, zgjedhjet për komunat e Republikës. Përkitazi me caktimin e një date sa më të përshtatshme. Meqenëse me 22 tetor të vitit 2017 u patën mbajtur zgjedhjet lokale para katër viteve, konsiderojmë se muaji tetor sërish është muaji kur do duhej të mbaheshin zgjedhjet. Për neve si LVV, meqenëse në këtë takim isha në cilësinë e kryetarit të subjektit tonë, sa më herët zgjedhjet, aq më mirë është. Por, Presidentja do t’i takojë edhe kryetarët e subjekteve tjera dhe në fund do ta caktojë një datë shumë të rëndësishme edhe për demokracinë në Republikën tonë, por edhe për qeverisjen e mirë komunale”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, Osmani sot do të takojë përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve lokale.

(Kosova Sot Online)