Hoxhaj i PDK-së: Po i humbasim tri gjenerata në arsim, Kurti nuk vjen as në seancë

  • G.G /
  • 03 June 2021 - 10:59
Hoxhaj i PDK-së: Po i humbasim tri gjenerata në arsim, Kurti nuk vjen as në seancë

Kreu në detyrë i PDK-së e deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për arsimin, ka thënë se Qeveria Kurti nuk është duke e kuptuar rëndësinë që ka kjo temë.

Ai tha para deputetëve, që në Kuvend shpesh është diskutuar për humbje të jetës nga pandemia, por jo edhe për humbjen e një gjenerate në arsim.

“Në këtë Kuvend shpesh herë e kemi pas humbjen e jetës, po nuk e kemi diskutuar se si po humbet një gjeneratë në arsim”, tha Hoxhaj, duke shtuar se që tri herë kosovarët në 30 vitet e fundit po e humbasin nga një gjeneratë.

“Në 30 vitet e fundit, 3 herë radhazi ne e kemi humbë nga një gjeneratë në arsim, në vitet e 90-ta, kur Qeveria i ka mbyllë shkollat, në vitet 98-99 kemi humb një gjeneratë, dhe tash në këto dy vite jemi ka e humbim një gjeneratë”, shtoi ai.

Megjithatë, sipas Hoxhajt, Qeveria Kurti nuk po e kupton rëndësinë e kësaj teme, pasi që shton se kryeministri mungon në sallë.

“Mënyra më e mirë me tregu që kjo qeveri nuk po e kupton rëndësinë e kësaj teme, është mungesa e kryeministrit.  Çka nënkupton humbja e një gjenerate në arsim, për këtë ka analiza të ndryshme”, deklaroi Hoxhaj.

“Qeveria Kurti nuk ka as mendim politik as strukturor se cka duhet të ndodhë në sistemin tonë arsimor, për këtë arsye e kemi ftu këtë debat”, tha tutje Hoxhaj.

(Kosova Sot Online)