Kompania amerikane premton fluturime supersonike, ja kur pritet të nisin

  • E.K /
  • 05 June 2021 - 11:02
 Kompania amerikane premton fluturime supersonike, ja kur pritet të nisin

Kompania ajrore amerikane, “United”, ka njoftuar për planet për blerjen e 15 aeroplanëve të rinj supersonikë dhe për kthimin e shpejtësisë supersonike në aviacion nga viti 2029.

Fluturimet me aeroplanë supersonikë ishin ndërprerë në vitin 2003, pasi kompanitë “Air France” dhe “British Airëays” i hoqën nga përdorimi aeroplanët supersonikë të tipit “Concorde”, shkruan BBC.

Aeroplanët e rinj supersonikë, të quajtur “Overture”, do të prodhohen nga një kompani me bazë në Denver, e quajtur “Boom”, e cila ende nuk ka kryer ndonjë testim të një aeroplani supersonik.

Fluturimi supersonik realizohet kur aeroplani udhëton më shpejt sesa zëri. Ky lloj fluturimi bëhet në lartësi prej 18.300 metrash nga toka dhe zhvillohet me shpejtësi mbi 1.000 kilometra në orë.

Një aeroplan i zakonshëm i udhëtarëve lëviz me shpejtësi deri në 900 kilometra në orë, por aeroplanët “Overture” pritet të fluturojnë me shpejtësi deri në 1.800 kilometra në orë.

Me këtë shpejtësi, udhëtimet e gjata, si ai nga Londra në Nju Jork, do të realizoheshin për gjysmën e kohës së zakonshme apo për vetëm tri orë e gjysmë.

Sidoqoftë, ekzistojnë dy shqetësime për këtë lloj fluturimi: zhurma dhe ndotja. Fluturimi me shpejtësi supersonike shkakton zhurmë që mund të dëgjohet edhe në tokë dhe e cila ngjan me shpërthimin. Shqetësim tjetër është edhe harxhimi më i madh i karburantit.

(Kosova Sot Online)