Glauk Konjufca në Shqipëri: Asociacioni s’bën të ndodhë, duhet koordinim i thellë që të mos dëmtohemi nga dialogu

  • E.K /
  • 07 June 2021 - 12:06
Glauk Konjufca në Shqipëri: Asociacioni s’bën të ndodhë, duhet koordinim i thellë që të mos dëmtohemi nga dialogu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po qëndron për vizitë në Shqipëri. Ai sot ka zhvilluar një takim me homologun e tij Gramoz Ruçi.

Pas takimit, Konjufca në një konferencë të përbashkët tha se Kosova dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta.

“Kishim një takim të frytshëm. Asnjë fjalë nuk mund ta përmbledh kontributin e madh e të çmuar që Shqipëria e ka dhënë në vazhdimësi për shtetin tonë, Kosovën. Ne kemi interesa të përbashkëta meqenëse jemi në komb. Të tillë mendoj se duhet ta kemi edhe politikën”, u shpreh Konjufca.

Konjufca tha se me Ruçin diskutuan edhe për procesin e dialogut me Serbinë si dhe Gjykatën Speciale. Ai theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk bën të ndodhë assesi dhe se përt marrëveshjen finale me Serbinë nevojitet koordinim i thellë i Kosovës me Shqipërinë.

“Trajtuam edhe sfidat që vendin tonë e presin. Ne do të përballemi me një dialog të vështirë me Serbinë, meqë faktorët ndërkombëtarë e kanë definuar atë si faza përfundimtare që duhet të përmbyllet ky dialog me një marrëveshje përfundimtare. Na duhet koordinim i thellë dhe i ngushtë me Shqipërinë që Kosova mos të dëmtohet nga një marrëveshje e tillë. Për Kosovën, dëm do të ishte krijimi i çfarëdo entiteti territorial serb brenda Kosovës që do të kontrollohej nga Beogradi, dhe kjo nuk bënë assesi të ndodh dhe kjo është beteja jonë e përbashkët”, u shpreh Konjufca.

Kryeparlamentari theksoi se Kosovë po përballet edhe me sistemin gjyqësor të Gjykatës Speciale, ku ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte.

“Ne duhet edhe në këtë dimension të bashkërendojmë veprimet tona me Shqipërinë që ta kalojmë me dëme më të vogla këtë sfidë. Lufta jonë e shenjtë dhe e pastër e UÇK-së nuk ka qenë vetëm e Kosovës por e gjithë kombit shqiptar”, tha Konjufca.

(Kosova Sot Online)