Çkapja e sistemit të drejtësisë nga mafio-politika, një mision i vështirë

Çkapja e sistemit të drejtësisë nga mafio-politika, një mision i vështirë
Çkapja e sistemit të drejtësisë nga mafio-politika, një mision i vështirë

Ali Hertica

  • 07 June 2021 - 07:32

Shkruan: ANALISTI - Ali Hertica

Fatkeqësisht gjendja e sistemit të drejtësisë në shtetin tonë akoma po e pasqyron dhe reflekton realitetin e hidhur në institucionet tona qendrore e lokale të cilat janë të lidhura thellë me krimin e organizuar, për çka flasin raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare, por edhe vendoret. Në një shtet ku institucionet e saj keqpërdoren nga zyrtarët e saj pothuajse në vazhdimësi, dhe ky keqpërdorin ngel i pandëshkuar, tregon për kapjen e tyre nga rrjete kriminale, sidomos institucionet e drejtësisë.

Grupi i individëve të pozicionuar jo rastësisht në pozitat kyçe, ka ardhur direkt nga njerëz që kanë fuqi dhe ndikim të madh.Prandaj, nuk pritet që ky grup kriminal të respektoj ligjet në fuqi, përderisa nuk ka frikë nga drejtësia, derisa nuk ballafaqohet në luftë frontale më ligjin për pastrim dhe dekontaminim të plotë të institucioneve të shtetit, e që është ligji VETTING. Thjeshtë, ata nuk e duan shtetin e zhvilluar ekonomikisht, as nuk ndjejnë dhimbje për pozitën e rëndë sociale të qytetarëve, por kanë vetëm interesin e vet dhe të grupeve të tyre për t’u pasuruar. Deri më tani, pavarësisht deklaratave politike pompoze se do luftohet krimi e korrupsioni, kjo gjë nuk ka ndodhur. Ato deklarata të krerëve shtetëror kanë mbetur shterpë.

Qytetari i Kosovës është lodhur me deklarata të tilla dhe tash nga kjo qeveri pret rezultate të prekshme. Nëse edhe me këtë ndodhë dështimi dhe zhgënjimi, përsëri do të ndodhë vota referendum dhe ndëshkimi sepse tash qytetari po pret veprime dhe ndryshime konkrete e praktike në terren. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk pritet të ndodhe shumë shpejtë edhe nëse ka vullnet serioz nga kjo qeverisje e re, përderisa në segmente të caktuara të pushtetit ende ndodhen politikanë të cilët vet e kanë sjellë drejtësië në këtë gjendje. Kompanitë publike, bordet, gjykatat, si dhe shumë institucione qendrore e lokale janë të drejtuara, apo thjeshtë dominohen nga njerëzit e sjellë nga ky grup politik kriminal. Këta kanë krijuar lidhje përfitimi edhe me kompani të mëdha private, duke e bërë shtetin të sundohet nga oligarkët. Përderisa në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka vartës të kësaj kaste politike të kriminalizuar, nuk mund të pritet që të njëjtit t’i dënojnë vartësit e tyre apo pjesëtarët e rrjetit të tyre.

Nuk them se të gjithë që punojnë aty janë të tillë, por lëndët e hetimeve që prekin individët e këtij rrjeti kalojnë jo rastësisht nëpër duar të zyrtarëve të kapur, të cilët kanë ardhur në ato pozita nga vet kjo kastë e kriminalizuar. Prokurorët tanë të cilët janë të thirrur për të hetuar shkelësit e ligjit, paguhen me paga të majme nga buxheti i Kosovës. Përderisa paguhen në mënyrë meritore, dhe nuk e bëjnë si duhet punën e tyre, ata i kanë dyfish borxh qytetarit. Edhe për pagën që marrin, edhe për mos ndëshkimin e atyre që abuzojnë me paranë publike, pronë e të cilës është vet qytetari i Kosovës. Shpresa e vetme qytetare për përmirësimin e situatës në vend, do të kthehet vetëm atëherë, kur partitë politike pastrohen nga këta individë, të cilët fatkeqësisht nuk janë pak. Vetëm një drejtësi e drejtë dhe efektive disiplinon secilin zyrtar të mos shkel ligjin, e ajo drejtësi arrihet duke kaluar i gjithë mekanizmi i kësaj fushe nëpër filtrin e VETING-ut.

Po e them këtë sepse kur janë në pyetje njerëzit e korruptuar që kanë ndikim politik dhe klanor, deri më tani as që ka pasur mundësi të vjen në konsideratë hetimi dhe gjykimi i tyre. Kjo ka ndodhur dhe akoma po ndodhë për faktin se truri drejtues i institucioneve të drejtësisë është zgjedhur dhe ka qenë nën ndikimin e kastë politike në pushtet, dhe akoma vazhdon ta ketë atë ndikim që e dëmton drejtësinë e pa varur. E njëjta gjendje është edhe në Prokurorinë Speciale – kompetente me ligj për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këto çështje do të duhej të merrej sidomos tani pozita aktuale, meqë është një pozitë e madhe me numra, por edhe me fuqi të madhe ndikuese politike që mundë ti adreson dhe imponon reformat pozitive bazuar në ligj dhe kushtetutë.

Gjendemi në një kohë kur edhe ndërkombëtarët duhet ta rrisin presionin për hetimin dhe gjykimin e “peshqve të mëdhenj”. Pozita, pra Qeveria, përmes ministrisë së drejtësisë si hartuese e legjislacionit të së drejtës dhe kontrollit të zbatimit të atij legjislacioni, do të duhej menjëherë të kërkonte një hetim raport të gjerë lidhur me performancën e zbatimit të ligjit dhe përgjegjësive në Prokurori dhe gjykata e sidomos raport të veçantë për Prokurorinë Speciale, në mënyrë që të shpërfaqen emrat dhe mbiemrat e atyre që po e sabotojnë luftën ndaj korrupsionit, dhe pastaj të kërkonin shkarkimin e menjëhershëm të tyre dhe dhënien e përgjegjësisë për mos ushtrimin e obligimeve ligjore.

Jo rastësisht SHBA-të dhe BE- ja në mënyrë konsistente ua kanë tërhequr vërejtjen organeve të drejtësisë që të merren me rastet e profilit të lartë. Mirëpo ky veprim nuk ka ndodhur gjer më tani, dhe as nuk pritet të ndodhë me këtë sistem të drejtësisë të brishtë e të ngulfatur. SHBA ka investuar shumë mund, dije e para që t’u vjen në ndihmë institucioneve të drejtësisë, ta reformojnë dhe ta shkëpusin nga ndikimi i individëve të fuqishëm të cilët vazhdimisht kanë qenë pjesë e pushteteve në Kosovë.

Shtetet mike të Kosovës u kanë lënë deri më tani kohë institucioneve që ta dëshmojnë veten,mirëpo gjendja ka mbetur e tillë, në një krizë të thellë. Qytetarët e Kosovës janë të interesuar me çdo çmim që kriminelët si dhe shkelësit e tjerë të ligjit të përballen me drejtësinë dhe të dënohen në mënyrë meritore. Vazhdimi i kësaj gjendjeje ku individë dhe grupe të caktuara janë mbi ligjin, Kosovën e lë me sistem të brishtë, ia ngulfat mundësinë e zhvillimit ekonomik, ndikon në uljen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, pasuron shtresat sunduese, varfëron qytetarin e rëndomtë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".