Aksidenti me 4 viktima në Ferizaj, Drejtori i Policisë del në konferencë të jashtëzakonshme

  • E.K /
  • 08 June 2021 - 11:42
 Aksidenti me 4 viktima në Ferizaj, Drejtori i Policisë del në konferencë të jashtëzakonshme

Pas aksidentit në Koshare të Ferizajt, ku u shua një familje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, është paraqitur në një konferecë për media. Ai ka treguar shkaqet e numrit të madh të aksidenteve, teksa thekson se periudha pas mbylljes (masave më të ashpëra kundër koronavirusit), ka ndikuar në rritjen e aksidenteve të trafikut, jo vetëm në vendin tonë por edhe në shtete të tjera.

Ai fillimisht u ka shprehur ngushëllime familjeve që i kanë humbur më të dashurit e tyre në aksidente trafiku. Ndërsa ka theksuar se në një analizë të bërë janë identifikuar edhe shkaqet e aksidenteve.

“Në Kosovë për disa vite me radhë po përballemi me fluks të madh të aksidenteve të trafikut, studimet që janë bërë kanë treguar se periudha pas mbylljes totale kanë tregu se ka rritje të aksidenteve edhe në vendet e tjera. Si Italia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut. Një nga faktorët është periudha pas mbylljes….Njerëzit të cilët në momente të caktuara shfaqin dhunë kanë prirje që të vozisin edhe në mënyrë më agresive. Kjo vozite ka ndiku që të kemi edhe rritje të numrit të aksidenteve”, tha Drejtori i Policisë.

“Policia e Kosovës është me dy operacione aktive, njëri operacion ka të bëjë me kontrollin e motoçikletave dhe skuterëve, gjatë dy javëve të fundit janë konfiskuar mbi 120 skutera, kryesisht në Prishtinë….”Siguria në Komunikacionin Rrugor 2021” është në të gjithë Kosovë, në këtë operacion janë të kyçura të gjitha njësitet e trafikut. Kemi të kyçura edhe automjete civile dhe policë me rroba civile, që monitorojnë hyrjen në dritë të kuqë ose tejkalimi në vijë të plotë. Kemi filluar edhe monitorimin përmes dronëve”, tha ai tutje.

“Policia i ka shkru mbi 170 mijë gjoba brenda këtij viti….Te vendosja e pikëve negative i kemi mbi 6 mijë raste….Policia ka qenë mjaftë aktive në trajtimin e rasteve”, shtoi ai.

Ai foli edhe për mundësinë e shqiptimit të gjobave pa e ndalu personin, “mundësite dixhitale me u bë pa u ndalu fare personi”.

Sepse po shkaktojnë telashe në komunikacion si “ si tejkalimi i shpejtësisë, mospërshtatja e shpejtësisë me ambientin, tejkalimet në vijë të plotë etj”, tha ai.

Gjatë muajve janar-maj 2021, kanë ndodhur 37 aksidente fatale dhe kanë humbur jetën 42 persona.

Ndërkohë, si pasojë e një aksidenti në fundjavë u shua një familje nga Shtimja.

(Kosova Sot Online)