​Mblidhen sot tri Komisione Parlamentare

  • E.K /
  • 09 June 2021 - 09:07
 ​Mblidhen sot tri Komisione Parlamentare

Në Kuvendin e Kosovës, sot do të mblidhen tri Komisione Parlamentare.

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere si dhe Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, do të mblidhen këtë të mërkure.

Në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes që do të mblidhet në ora 10:00 do të raportoj komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama. Pas këtij raportimi komisioni do të shqyrtoj raportin e panelit përzgjedhës për Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kurse Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere që po ashtu do të mblidhet në ora 10:00 do të vazhdoj shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020.

Në këtë komisioni do të ketë edhe raportim nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (Agjencia e Statistikave të Kosovës) lidhur me regjistrimin e popullatës.

Po ashtu do të shqyrtohet rishikimi i buxhetit të Kuvendit të Kosovës për vitin 2021.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit do ta shqyrtoj propozimin e për anëtarë të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës.

Ky komision që do të mblidhet në ora 11:00 do të shqyrtoj edhe aplikacionet e kandidatëve për anëtarë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës si dhe do të formojnë grupin e punës për shqyrtim të aplikacioneve të kandidatëve për drejtor  të Agjencisë Kundër Korrupsion.

(Kosova Sot Online)