Policia jep detaje për kërcënimin e Prindon Sadriut

  • E.K /
  • 10 June 2021 - 12:10
 Policia jep detaje për kërcënimin e Prindon Sadriut

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me kërcënimin që i është bërë të ngarkuarit me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup, Prindon Sadriut.

Sipas policisë, Sadriu e ka raportuar rastin ditën e mërkurë, teksa nga policia ky rast është cilësuar si “Kanosje ndaj personit zyrtar”.

“KANOSJE NDAJ PERSONIT ZYRTAR/ Datë,09.06.2021-11:45. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se deri sa kishte qenë në detyrë, ishte ndier i kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij është inicuar rasti dhe është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Është raportuar se Prindon Sadriu, burri i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu gjatë kohës sa ka qenë duke punuar në Ambasadën e Kosovës në Shkup është kanosur nga një zyrtar i ambasadës, i cili me dekret të presidentes është shkarkuar nga detyra.

Sadriu udhëheq me Ambasadën e Kosovës në Shkup pas shkarkimit të ambasadorit Gjergj Dedaj, i cili fillimisht kishte thënë se nuk do ta pranojë këtë vendim.

(Kosova Sot Online)