Glauk Konjufca e zbërthen qëndrimin e Qeverisë Kurti një ditë para takimit në Bruksel

  • E.K /
  • 14 qershor 2021 - 14:44
 Glauk Konjufca e zbërthen qëndrimin e Qeverisë Kurti një ditë para takimit në Bruksel

Kryeparlamentari Glauk Konjufca një ditë para takimit Kosovë-Serbi në Bruksel ka zbërthyer qëndrimin e Qeverisë në krye me Albin Kurtin për çështjen e dialogut.

Ai tha para gazetarëve se nuk do të ketë dialog të njëjtë në Bruksel, ashtu siç ka ndodhur tash e sa vite gjatë bisedimeve mes dy shteteve.

“Unë mendoj që dialogu duhet të gjykohet prej asaj që ka ndodhë me 14 shkurt, rezultatit të zgjedhjeve.  Nuk mund të ketë dialog të njejtë siç ka pas në Bruksel sa i përket takimeve me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë. Ky opsion që i ka fituar zgjedhjet, ka fituar me shpjegimin dhe konceptin që dialogu i deritashëm ka qenë i formës së gabuar”, ka thënë ai.

“Ka qenë një dialog që ka trajtuar kryesisht tema të brendshme, që në fushat vitale të jetës ka shkaktuar dëme të mëdha, sidomos në fushën e drejtësisë.  P.sh gjyqësorin në Mitrovicë e ka ndarë në dy gjykata. Gjithmonë gjykimet e kryeminsitrit Kurti kanë qenë që të tilla gjëra më nuk do të ndodhin. Neve na duhet një përfaqësim i ri që i jep një garanci popullit të Kosovës që gjëra të tilla nuk do të ndodhin”, tha ai.

Konjufca tha se është i bindur që nesër Kurti do ta përfaqësojë dinjitetshëm atë që ka ndodhur me 14 shkurtit.

“Unë jam fort i bindur që kryeministri Kurti në ditën e nesërme në takimet që i ka atje do ta përfaqësojë dinjitetshëm pikërisht atë që ka ndodhë me 14 shkurt.

Prej vitit 1999 është realiteti është realiteti që Kosova është e lirë, prej 2008 që është e pavarur, e prej 14 shkurtit është që Kosova qeveriset prej një force politike, prej një opsioni politik që nuk bën kompromise”, tha ai.

Konjufca tha se nuk duhet të lidhet dialogu me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Do të ishte mirë që institucionet tona mos me lidh liberalizimin e vizave me dialogun që ka të bëjë me Serbinë, kushdo që e thotë këtë ja ka bërë një keqpërdorim të madh procesit të liberalizimit të vizave”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)