Banditët në aksion kundër Qeverisë Kurti!

Banditët në aksion kundër Qeverisë Kurti!

Gani Qarri

  • 14 June 2021 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mjerisht prej krejt asaj që shihet nga pjesëmarrja e opozitës në seancat parlamentare është arroganca e pafund, që tmerron të gjithë qytetarët, akuzimet ad-hok pa mbulese dhe arsye, fushata agresive dhe pretendimet skajshmërish banditeske për dominim me çdo kusht, në parlament, jo me fakte por me abuzime, shpifje e gënjeshtra me qëllimin e luajtjes së të fortit, duke ndyrë e stërkequr tërësisht edhe jetën parlamentare kosovare në Kuvendin e Kosovës.

Opozita perverse dhe të inkriminuar deri në fyt, paturpësia e të cilëve shihet qartë se nuk ka fund as kufi, të cilët duket se përfundimisht e kanë kuptuar rrezikun që u kanoset nga rivendosja e rendit dhe ligjit në vend si dhe fatin që i pret ata për bëmat e tyre kriminale, sidomos në dekadën e fundit, ndaj sa më tepër që afrohet dita e ballafaqimit me ligjin për ta, aq më shumë ata egërsohen dhe rritin shkallën e arrogancës e të hipokrizisë me ngritje zëri, sulme eksplozive e retorike tërësisht oportuniste, duke bërë shumë zhurmë për asgjë dhe folur pa reshtur për të mos thënë "bash" asgjë.

Opozitë e dyshimtë që me aktet e saj banditeske, po terrorizon të gjithë banorët e këtij vendi dhe kontaminon tërësisht jetën parlamentare në Kuvend, e cila jo vetëm se ende po luan rolin e uzurpuesit e dhunuesit të shtetit dhe institucioneve në Kosovë, duke treguar tërë pafytyrësinë e saj të vërtetë, me cinizma banale dhe arrogancë e hipokrizi të pashoqe, si dhe gënjeshtra e sajime të paturp, sa të mendosh e dyshosh se këta njerëz nuk janë më as shqiptar, por vetëm shqipfolës të deleguar ekskluzivisht nga Vuçiqi dhe Serbia për të komplikuar sa më keq punën e legjislativit dhe krijuar sa më shumë probleme në Kuvend, me qëllim të pengimit të rrugëtimit normal të shtetit të Kosovës.

Opozitë që rri vetëm duke akuzuar pa kurrfarë baze as arsye Kryeministrin Kurti, deri dje për mos fillimin e dialogut, ndërsa sot për rifillimin e dialogut me Serbinë, duke shkuar aq larg ,sa të kërkon nga ai, paraprakisht edhe taktikat e negocimit, të cilat do të donte t’i dinte edhe Serbia, si dhe vet rezultatin final të marrëveshjes së supozuar që ende nuk është e sigurte se mundë apo edhe nuk mundë të arrihet, sikur kryeministri ynë, të ishte magjistar dhe jo kryeministër i vendit, për të kamufluar krimet e tyre dhe aktet e paligjshme e kundër kushtetuese, më të cilat e kanë dëmtuar aq rëndë dhe pariparueshëm Kosovën duke nënshkruar edhe marrëveshje si asociacioni një etnik serb për bosnjëzimin e Kosovës, sa që edhe vet z. Kurti do ta ketë shumë të vështirë ta nxjerr vendin nga gjendja katastrofale ku e kanë ngulfatur e katandisuar ata per 20 vite, ani pse ai vet asnjëherë nuk ka nënshkruar as pranuar asgjë në dëm të Kosovës.

Për aq më tepër, pas gjithë atyre sa ka bërë opozita e kriminalizuar kundër Kosovës, kryeministri i vendit dhe ekipi i tij, shihet qartë ende pa rifilluar bisedimet me shtetin okupator serb, se do ta ketë shumë të vështirë që t’i mbrojë interesat e shtetit dhe riparojë dëmet katastrofale që ish qeveritarët nga opozita aktuale, përmes dhjete vite bisedime nenshtruese ndaj Serbise, i kanë shkaktuar Republikës së Kosovës.

Ndaj duke pasur parasysh devijimin e madh që është bërë në të kaluarën nga ata vet , me një varg marrëveshjesh të dëmshme e kriminale nga ish pushtetarët tani në opozitë, kulmi i të cilave është asociacioni një etnik serb, eksterritorialiteti i kishave me dhjetëra hektare tokë të Kosovës, si dhe integrimi i strukturave paralele në institucionet e shtetit, kryesisht në policinë e Kosovës, të cilat, ende edhe sot vazhdojnë të punojnë për Serbinë, pa rivendosjen e rendit dhe të ligjit si dhe vendosjen prapa grilave, të atyre që e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, me një opozitë të stërkequr, në Kosovë është e pamundur të ecë gjë për së mbari.

Kështu që e vetmja gjë e mirë dhe shpresëdhënëse për Kosovën, në këtë rifillim të bisedimeve, është vetëm kthimi i këtij dialogu në binar më normal dhe me rol aktiv nga SHBA-të, që deklarojnë se do të qëndrojë fuqishëm përkrah Kosovës në proceset e Brukselit, në mbështetje dhe inkurajim të dialogut, duke punuar në mënyrë bilaterale me Kosovën dhe Serbinë dhe ruajtur marrëdhëniet e mira me Kosovën, me angazhimin konkret të SHBA-ve, për njohje reciproke dhe mos cenim të kufijve ekzistues të Republikës së Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".