Kush është Velko Odalloviq, personi që u përmend nga Kurti sot në Bruksel

  • A.P /
  • 15 June 2021 - 21:03
Kush është Velko Odalloviq, personi që u përmend nga Kurti sot në Bruksel

Joseph Goebels ishte njeriu kryesor i Hitlerit për propagandë. E Herman Goering një nga eprorët më të lartë ushtarak të liderit nazist. Emrat e këtyre dyve u përmendën nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në takimin e parë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Me ta, shefi i qeverisë kosovare iu referua Velko Odalloviqit dhe Zoran Angelkoviqit, që ishin drejtuesit kryesor serb të Kosovës së okupuar gjatë luftës. I pari është i lindur në Komunën e Lipjanit dhe ishte drejtuesi kryesor politik i partisë së Sllobodan Millosheviqit në Kosovë nga viti 1997. E i dyti është i lindur në Serbi dhe gjatë viteve të ’90 si anëtar i socialistëve në pushtet u dërgua në Kosovë, kur të gjithë shqiptarët ishin përjashtuar nga institucionet. Këta dy politikanë e priten në Prishtinë presidentin e Serbisë, Milan Milutinoviq gjatë kohës së bombardimeve.

Atë e shoqëruan për të parë nga afër disa objekte që ishin goditur nga bombat e avionëve të NATO-s. Aktivitetin politik në Kosovë, Odaloviq e Angjelkoviq e vazhduan edhe pas luftës. Ata morën pjesë në tubimin e socialistëve në Graçanicë në vitin 2000. Madje, Odaloviq përdori edhe gjuhë të ashpër ndaj shqiptarëve e bashkësisë ndërkombëtare.

”Grupet separatiste e terroriste shqiptare do të largohen sepse nuk e kanë vendin këtu, dhe ata do të shkojnë bashkë me OKB-në, mos keni asnjë dilemë. Të gjithë së bashku ndonëse do të na kushtojë shumë dhe është vështirë, por me përkrahjen e partisë dhe shtetit do të qëndrojnë këtu. Të jeni të sigurt”, ishte shprehur Velko Odaloviq, njofton Klan Kosova.

Pak vite më vonë edhe Odaloviq edhe Angjelkoviq shkuan në Serbi. E i pari vazhdoi të merret me politikë dhe mbajti poste me rëndësi në qeveri dhe Kuvend. Ndërsa aktualisht është Kryetar i Komisionit për persona të zhdukur në Serbi, nga e cila pozitë Albin Kurti kërkoi që ai të shkarkohet. Por, Odaloviq këtë kërkesë dhe krahasimin me Goebelsin e Goringun i cilësoi si befasi të pakëndshme.

(Kosova Sot Online)