Joe Biden paralajmëron Rusinë: Kemi kapacitete të pakrahasueshme, hakmerremi nëse s’ndaleni

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 09:11
Joe Biden paralajmëron Rusinë: Kemi kapacitete të pakrahasueshme, hakmerremi nëse s’ndaleni

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paralajmëroi se vendi i tij do të hakmerret, nëse Rusia vazhdon të kryejë sulme kibernetike kundër caqeve amerikane. Ai tha kështu pas samitit që e zhvilloi të mërkurën në Gjenevë me homologun rus, Vladimir Putin.

Duke folur pas takimit të parë të drejtpërdrejtë me Putinin në Zvicër, Bideni tha se ia bëri të qartë Kremlinit se duhet “t’i respektojë rregullat e rrugës” ose të përballet me pasoja. Shefi i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu theksoi se Putini është i vetëdijshëm se ShBA-ja ka kapacitete të pakrahasueshme kibernetike.

Pas tri orësh bisedime, presidenti amerikan tha se dëshiron që t’i rivendosë raportet ShBA – Rusi në rrugë të parashikueshme dhe pragmatike, pas kaosit dhe turpërimit në epokën e Trumpit. Ai nuk beson se Putini do një luftë të re të ftohtë, por pranoi se nuk e di nëse homologu rus do ta ndryshojë sjelljen, shkruan The Guardian.

Samiti i zhvilluar në një vilë mahnitëse të shekullit XVIII me pamje nga Liqeni i Gjenevës përfundoi në frymë pozitive, pasi të dy liderët thanë fjalë të mira për takimin. Duke folur pas takimit, presidenti rus tha se diskutimet u zhvilluan pa armiqësi. Ai e përshkroi Bidenin si person me përvojë dhe të baraspeshuar.

Ndonëse kishte pritje të ulëta para samitit, takimi nuk përfundoi pa asnjë rezultat. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u pajtuan që t’i kthejnë ambasadorët e tyre në kryeqytetet përkatëse në një datë që do të caktohet më vonë.

(Kosova Sot Online)