Bjellorusia iu vendos taksa donacioneve për të venë që burri iu vra në protestë

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 10:18
 Bjellorusia iu vendos taksa donacioneve për të venë që burri iu vra në protestë

E veja e një aktivisti bjellorus që u qëllua për vdekje në gusht të vitit të kaluar nga policia bjelloruse në Minsk është urdhëruar që të paguajë taksa për donacionet që ka marrë pas vrasjes së bashkëshortit.

Alena Herman, nënë e ve e një vajze 4 vjeçe, mori donacione pasi bashkëshorti i saj 34-vjeçar, Alyaksandr Taraykouski, u bë viktima e parë e shtypjes brutale të protestave nga autoritetet gjatë kundërshtimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Gruaja e ve tha të mërkurën se autoritetet e taksave në Minsk e kanë urdhëruar që të paguajë taksa prej më shumë se 4.430 dollarësh për donacionet që ka marrë. Ajo mendon se këto taksa janë gabim, shkruan Free Europe.

“Burri im ishte i vetëpunësuar dhe gjithçka që ai fitonte e përdorte për ta përkrahur familjen. Të gjitha donacionet që kam marrë nga njerëzit e mirë janë bërë, besoj unë, nga xhepat e tyre, pas taksave”, tha zonja Herman.

Komisioni Hetues i Bjellorusisë vendosi në shkurt që të mos niste hetime për vdekjen e Taraykouskit, duke pretenduar se ai ishte shumë i dehur dhe i provokoi policët që të përdornin armë jovdekjeprurëse kundër tij.

Disa protestues janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë protestave që kanë zgjatur disa muaj. Ka edhe raporte të besueshme se të arrestuarit po torturohen nga autoritetet. Shumica e liderëve opozitarë janë arrestuar ose janë detyruar që të largohen nga shteti.

(Kosova Sot Online)