Vetëvendosje voton anëtarët e komisionit për dhënien e jurisprudencës, pavarësisht kundërshtive të opozitës

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 14:16
 Vetëvendosje voton anëtarët e komisionit për dhënien e jurisprudencës, pavarësisht kundërshtive të opozitës

Me 70 vota për, një kundër dhe një abstenim ka kaluar në Kuvend të Kosovës propozomi për emërimin e anëtarëve për Komisionin për dhënien e provimit të jurisprudencës.

Fillimisht, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës i ka propozuar anëtarët për Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, përbërja e së cilës është: Albert Zogaj kryetare, Drita Rexhaj zëvendëskryetare, Valbona Dishaj Haxhosaj, Afrim Shala, Zenel Leku, Edijesa Zahiri, Halide Reka, Bajram Miftari, Hajriz Hoti dhe Nenad Lazic.

Megjithatë, këtë propozim të Haxhiut e ka kundërshtuar opozita.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa tha se kryesuesi i këtij komisioni, Albert Zogaj, ka konflikt interesi sepse i mban edhe disa pozita të tjera dhe kjo ia pamundëson mbajtjen e kësaj pozite.

“Për informimin tuaj z. Zogaj, përveç ushtrimit të detyrës në Gjykatën Supreme mban një numër të madh të pozitave në sektorin gjyqësor, në sferën akademike dhe shoqërisë civile.Po i numëroj disa: Gjykatës në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është anëtar rezerv në Komisionin e Përhershëm për administrimin e gjykatave, anëtar i komisioni vlerësues për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, anëtar i grupit punues për hartimin e raportit faktmbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore. Ai po ashtu është ligjërues në Kolegjin AAB dhe trajner në Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, tha ai.

Deputeti Driton Selmanaj shtoi se  për të njëjtin nuk ka pasur vlerësime të Agjencisë Kundër Korrupsion.

“Po trajtojmë një temë të rëndësishme, është e rëndësishme që të kemi këtë komision. Në fillim po them se edhe pse jam anëtar i komisionit për legjislacion, nuk kam pa që në komision kanë ardhe vlerësimet e AKK-së, unë si kam pasur në dispozicion. Kam një kërkesë nga kryetari i komisionit të flasë drejtë sepse duhet të tregohet kush e ka votuar e jo. Dikush nga pushteti po thotë se ky heqë dorë, ne nuk e kemi pas si deklaratë. Ajo çka kemi pas është se ky person mbanë 8 funksione shtetërore”.

Deputeti Besnik Tahiri, ka thënë se si Grup Parlamentar e konsiderojnë të rëndësishme të konstituohet komisioni për provimin e jurisprudencës.

 “Në aspektin profesional nuk do të kyçemi por që kandidati i parë Albert Zogaj e kishte një përvojë pune të ngjeshur, por që duhet të shohim nëse a e ka të drejtën legjitime të ushtrojë këtë punë. Ne mendojmë që duke qenë se e ka një rendësi të veçantë që të kemi njerëz me integritet, Ministrja do të duhet të krijonte një listë të re e të trajtohet nga komisioni për legjislacion”, ka thënë ai.

Ky propozim i Qeverisë ka hasur në reagime edhe nga shoqëria civile.

(Kosova Sot Online)