I veshur me jelek antiplumb dhe me maskë të zezë në fytyrë, momenti kur 32-vjeçari grek që vrau bashkëshorten shkon në Prokurori

  • S.A /
  • 19 June 2021 - 08:21
I veshur me jelek antiplumb dhe me maskë të zezë në fytyrë, momenti kur 32-vjeçari grek që vrau bashkëshorten shkon në Prokurori

Me pranga në duar dhe me jelek antiplumb pjesëtarë të forcave speciale të Policisë shoqërojnë për në prokurori 32-vjeçarin grek Charambolos Anagostopoulos, të ashtuquajtur vrasësi me fytyrë engjëllore, i cili me krimin që pohoi një ditë më parë ka shokuar gjithë Greqinë dhe jo vetëm.

“E vrava Karolinën, e mbyta me jastëk. Shkak u bënë konfliktet që kishim atë natë. Hodha fëmijën në krevat. E mbyta dhe më pas mendova grabitjen,”– tha dje pasi u mor për 8 orë në pyetje nga policia.

Pasi ka pohuar vrasjen e bashkëshortes së tij me origjinë britanike, vetëm 20 vjeç, para foshnjës së tyre 11 muajsh natën e 11 majit, tashmë me shikim të akullt, ai mbërrin në prokurori për të dëgjuar ekzekutimin e urdhër-arrestit të tij dhe më pas para hetuesit, nga i cili ka kërkuar të marrë afat për deponimin e tij përfundimtar të martën që vjen në mëngjes.

Më herët policia greke në një konference për shtyp ka deklaruar se suksesi në zbardhjen e këtij krimi monstruoz ka ardhur pasi hetuesit duke punuar në mënyrë të koordinuar për këtë çështje të vështirë pasi nuk kishte prova dhe gjurmë brenda shtëpisë ku u krye vrasja, ndërtuan një marrëdhënie besimi me burrin e viktimës.

Reklamë

Përveç orës dhe celularit të 20-vjeçares Caroline, teknologjia ka ndihmuar policinë greke edhe në zbulimin e kartës së memories së kamerave të sigurisë si dhe në analizën e shprehjes se fytyrës në deklaratat e para të bashkëshortit kriminel para mediave, vetëm disa orë pasi me jastëk i mbylli gojën dhe sytë përgjithmonë, gruas qe i kishte premtuar dashuri të përjetshme.

“Uroj që askush të mos kalojë kurrë atë që kemi kaluar natën e kaluar. Asgjë tjetër. Policia di çfarë të bëjë dhe do t’i kapë ata. Atë që kemi kaluar unë dhe familja ime , uroj të mos i ndodhë kurrë askujt tjetër”, kishte deklaruar ai pas vrasjes.

32-vjeçari tashmë ndiqet penalisht me akuzat për dy krime -vrasje me dashje, e kryer në një gjendje të qetë mendore dhe -abuzimi me kafshët, pasi përveç bashkëshortes për të mbuluar gjurmët e krimit ka vrare edhe qenin e tyre.

Gjithashtu akuzohet edhe për shkeljet penale si – akuza te rreme duke hedhur fajin dhe dyshimet tek persona te tjerë, shqiptarë apo gjeorgjianë siç u shpreh para disa ditësh, si dhe për deponime të vazhdueshme të rreme.

Në urdhërarrestin e tij autoritetet shkruajnë: “I dyshuar për t’u arratisur për shkak të statusit të tij si pilot si dhe gjendjes së mirë financiare. – I dyshuar për kryerjen e krimeve të reja për shkak të mënyrës se si ai vrau Carolinen dhe se si mashtroi autoritetet me prova të rreme”.

Sipas avokatit të tij, vrasësi duket se është penduar për aktet e kryera dhe ka kërkuar të dijë se sa do te jetë dënimi i tij, duke shprehur dëshirën për të mbajtur kujdestarinë e fëmijës së tij, një çështje që do të vendoset në orët e ardhshme nga Prokuroria e të Miturve.

(Kosova Sot Online )