A ka datë për hapjen e sallave të dasmave

  • A.P /
  • 20 June 2021 - 17:34
A ka datë për hapjen e sallave të dasmave

S’ka datë konkrete për hapjen e sallave të dasmave, hoteleria me humbje të mëdha

Sektori i hotelerisë dhe turizmit kanë pasur dëmtim të resurseve deri në 90 për qind për shkak të pandemisë me koronavirus dhe institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak për t’u dalë atyre në ndihmë.

Vetëm tre milionë euro iu ofruan këtyre sektorëve, të cilët përfshijnë 20 mijë biznese, që i bie diku 130 euro mbështetje financiare për biznes.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, tha për Kosovapress se gjatë pandemisë kanë pësuar humbje të mëdha dhe shuma e ndarë buxhetore për këtë sektor në pakon e rimëkëmbjes ka qenë shumë e vogël.

Ai tha se në pakon e re të rimëkëmbjes kanë kërkuar të mos u ndahen mjete buxhetore, por të zhvillohet turizmi në Kosovë, gjë e cila do të ndikonte që të kenë në shumë përfitime për bizneset.

“Ne si Union i Turizmit të Kosovës kemi kuptuar që diku kemi 90% sektorë të cilët janë dëmtuar. Sektori i akomodimit, ai i hotelerisë ka një dëmtim gati 90 për qind, pastaj pjesa e guidave turistike, të cilat nuk kanë punuar fare dhe faktikisht nuk janë mbështet nga institucionet, jo vetëm por i gjithë sektori i agjencioneve turistike. Këta operatorë, sektori i agjencioneve transportuese dhe sektori i gastronomisë që sadopak ka punuar edhe pse ka pasur kufizime të jashtëzakonshme… Në pakon për rimëkëmbje të sektorit, sektorit të turizmit iu ka ofruar tre milionë euro, një mbështetje ku janë përfshirë diku rreth 20 mijë biznese që kanë qenë edhe pjesa e sallave të dasmave, pjesa e pishinave dhe e përpjesëtojmë atë, i ka ra diku rreth 120-130 euro për çdo biznes që t’ia japim dhe ka qenë e papranueshme nga ana jonë”, tha Hoti.

Në pakon e re të rimëkëmbjes që po hartohet nga Qeveria, UTK në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësise (MINT) kanë propozuar që të mos ndahen mjete buxhetore për bizneset e këtyre sektorëve, por të investohen në zhvillimin e turizmit dhe sjelljen e turistëve në vendin tonë.

(Kosova Sot Online)