Qesharake: Irani e akuzon ShBA-në për ndërhyrje në zgjedhje

  • A.P /
  • 22 June 2021 - 15:43
Qesharake: Irani e akuzon ShBA-në për ndërhyrje në zgjedhje

Irani i akuzoi të martën Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në zgjedhje vetëm për shkak se Uashingtoni e vlerësoi procesin si jo të lirë dhe të padrejtë. Grupet politike në Republikën Islamike e fajësuan njëra-tjetrën për përqindjen më të ulët të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje dhe numrin e lartë të fletëvotimeve të pavlefshme.

Ebrahim Raisi, ish-gjykatës me qëndrime të rrepta, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, siç pritej, e siguroi fitoren të shtunën në garën e përcjellë me apatinë e votuesve shkaku i vështirësive ekonomike dhe kufizimeve politike, shkruan Reuters.

 

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha të hënën se Shtetet e Bashkuara i shohin zgjedhjet në Iran si “goxha të fabrikuara”, duke e theksuar qëndrimin e ShBA-së se gara nuk ishte as e drejtë, as e lirë. Teherani i kundërshtoi këto kritika.

“Ne e konsiderojmë këtë deklaratë si ndërhyrje në çështjet tona të brendshme, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe e kundërshtojmë atë”, tha zëdhënësi qeveritar iranian, Ali Rabiei. Sipas tij, Uashingtoni nuk ka autoritet që t’i shprehë qëndrimet rreth zgjedhjeve në shtetet tjera.

Të hënën, rreth 150 ish-zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe ekspertë ndërkombëtarë për drejtësi e të drejta të njeriut bënë thirrje përmes një letre që të themelohet një komision ndërkombëtar për hetimin e vrasjeve jashtëgjyqësore të mijëra të burgosurve politikë në Iran më 1988. Presidenti i ri i Iranit është i akuzuar se ka gisht në këtë ngjarje.

I pyetur rreth dyshimeve se ai është i përfshirë në këto vrasje, Raisi para gazetarëve tha: “Nëse një gjykatës, një prokuror e ka mbrojtur sigurinë e popullit, ai duhet të çmohet. Unë jam krenar që i kam mbrojtur të drejtat e njeriut në secilën pozitë që e kam mbajtur deri më tash.”


(Kosova Sot Online)