Avokati thotë se s’mund të vazhdohet gjykimi për Todosijeviqin meqë është deputet dhe ka imunitet

  • E.K /
  • 24 June 2021 - 11:13
 Avokati thotë se s’mund të vazhdohet gjykimi për Todosijeviqin meqë është deputet dhe ka imunitet

Në seancën që po mbahet në Gjykatën e Apelit, mbrojtësi i ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, avokati Nebojsha Vlajiq ka thënë se çështja penale ndaj të mbrojturit të tij nuk mund të vazhdojë pasi ai gëzon imunitet ndaj ndjekjes penale.

Këtë deklarim ai e ka thënë në seancën ku po shqyrtohen ankesat e palëve lidhur me dënimin e Todosijeviqit me 2 vite burgim nga shkalla e parë, pasi ishte shpallur fajtor për deklaratat që i kishe bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Pasi u konstatua mungesa e të akuzuarit Todosijeviq në seancë, avokati i tij tha se në këtë rast nuk mund të vazhdohet tutje për shkak të pengesave procedurale, ngase i njëjti ka imunitet.

“Dua ta paraqes një rrethanë, se i akuzuari Ivan Todosijeviq është anëtar i Kuvendit të Kosovës i cili gëzon imunitet nga ndjekja penale dhe un ua prezantoj vërtetimin e Kuvendit të Kosovës, me numër protokolli 131/21, që vërteton faktin se është deputet. Po ashtu, ua prezantoj dokumentin e identifikimit si anëtar i Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu një deklaratë nga ana e të akuzuarit, të nënshkruar nga vet i akuzuari, i cili thirret pikërisht në imunitetin. Në këto rrethana, konsiderojmë si mbrojtje se nuk mund të procedohet tutje për shkak të pengesave procedurale, ngase i njëjti ka imunitet”, ka deklaruar avokati Vlajiq.

Lidhur me këtë, kryetari i kolegjit, gjyqtari Burim Ademi tha se çështja penale duhet të trajtohet dhe seanca duhet të mbahet, ngase imuniteti mund të jetë një rrethanë që mund të reflektojë si pengesë në ndjekjen penale, e për të cilën çështje tha se gjykata ka bazat ligjore kur konstaton pengesë në ndjekje penale.

“Ky kolegj rikujton po ashtu se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese mbi të cilën ka trajtuar imunitetin e deputetëve dhe tashmë ai vendim ka krijuar standardin kushtetues, andaj gjykata me rastin e vendosjes së kësaj çështje do të ketë parasysh të gjitha pretendimet e mbrojtjes, rrethanat dhe standardet kushtetuese.”, deklaroi gjykatësi Ademi.

Pas kësaj, avokati Nebojsha Vlajiq tha se nuk mund të ndalojë të mbahet seanca, nëse konsiderohet se duhet mbajtur.

“Nuk du të marr pjesë në këtë seancë, do të kaloj në publik.”, deklaroi tutje avokati.

“Po ju paralajmëroj se seanca nuk mund të lëshohet pa lejen e kolegjit, përndryshe pasojat i mbani. Mund të kërkoni leje të largoheni, po jo të largoheni.”, iu drejtua gjykatësi Ademi avokatit Vlajiq.

“S’do të largohna, nuk du asnjë dënim, du me marrë pjesë.”, u përgjigj avokati.

Seanca është duke vazhduar.

Ndryshe, një ditë më parë “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se është refuzuar kërkesa e ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, për përjashtimin e kolegjit të Gjykatës së Apelit në rastin e tij.

Todosijeviq ishte dënuar nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Sipas akuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda  në Republikën e Kosovës./BetimipërDrejtësi/

(Kosova Sot Online)