Me sa vite burg mund të dënohet shoferi që shkakton vdekjen e disa personave në aksident

  • E.K /
  • 26 June 2021 - 12:15
 Me sa vite burg mund të dënohet shoferi që shkakton vdekjen e disa personave në aksident

Pesë anëtarë të familjes Ramadani nga Shtimja, e gjetën vdekjen në një aksident të rëndë trafiku më 6 qershor, në rrugën Ferizaj-Shtime. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, deri tek aksidenti tragjik erdhi pasi një 22-vjecar me një veturë tjetër, bëri tejkalim të gabuar.

Në vendngjarje, u konfirmua vdekja e katër familjarëve, teksa një javë pas vdiq edhe personi i pestë nga ky aksident.

E, për shkaktarin e aksidentit u vu masa e paraburgimit prej një muaji.

“Deri te aksidenti i komunikacionit, dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Audi me targa vendore, e drejtuar nga E. M. (M/SHK/) 22 vjeçar po qarkullonte, nga drejtimi i Ferizajt në drejtim të Shtimes dhe me të arritur në fshatin Koshare, për shkaqe ende të panjohura, kalon në anën tjetër të lëvizjes dhe ndeshet me automjetin VË Golf me targa vendore, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt, nga Shtimja në drejtim të Ferizajt”, kishin thënë nga Polica.

E raste si ky ndodhin shpesh në Kosovë.

Por, çfarë parasheh ligji, për shoferin i cili shkakton aksident me disa të vdekur?

Sipas Kodit Penal të Kosovës, personi që e shkakton aksidentin qe rezulton me vdekjen e një ose më shumë personave, mund të dënohet nga 3 deri në 12 vjet burgim.

“Kushdo që shkel ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikon jetën e njerëzve apo pasurinë dhe me këtë i shkakton dikujt dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. Ndërsa, Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet”, thuhet në ligj.

Tutje aty bëhet e ditur nëse vepra penale nga paragrafi 6. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor ose dëm pasuror në vlerë prej njëzetmijë (20.000) Euro apo më shumë, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

(Kosova Sot Online)