Shteti në aksion për keqpërdorimet me subvencionet, çfarë paralajmëroi mbrëmë ministri Peci

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 10:41
 Shteti në aksion për keqpërdorimet me subvencionet, çfarë paralajmëroi mbrëmë ministri Peci

Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka paralajmëruar mbrëmë se prokuroria dhe organet e ndjekjes nuk do të ndalen deri në zbardhjen e rasteve abuzive në ministrinë që drejton. Peci në një emision ka konfirmuar se është kontaktuar nga organet e krimeve ekonomike dhe se do të vazhdojë të ofrojë informacione lidhur me keqpërdorimet në ministri.

Ndërkaq sot, Drejtoria për Hetimin e Krimeve pritet të arresojtë 23 zyrtarë në komuna të ndryshme që lidhen me operacionin “Subvencioni 2021”.

Ministri Peci mbrëmë u shpreh se marrë parasysh zinxhirin e zyrtarëve të involvuar në marrje dhe dhënie ryshfeti, prokuroria dhe organet e ndjekjes nuk do të ndalen.

“Në kategorinë e subvencioneve është borxhi i madh, involvimi i zyrtarëve që një numër i konsiderueshëm i tyre janë me aktakuza të ngritura, një numër janë nën hetim dhe në paraburgim dhe sipas të gjitha gjasave  ka indikacione që kjo nuk përfundon me kaq sepse vala e parë dhe e dytë e arrestimeve në të kaluarën mund të prek edhe zyrtarë të tjerë dhe kjo e vështirson punën në ministri.  Unë po supozoj që fakti që aty ka ekzistu një zinxhir në ndërmarrjen e veprimeve në marrje dhe dhënie ryshfeti unë besoj që prokuroria nuk kanë me u ndalë deri në zbardhjen e rasteve”, tha Peci.

Tutje ai u shpreh se është kontaktuar nga organet e ndjekjes dhe do të vazhdojë të ju jap informacione lidhur me abuzimet nga zyrtarë të Ministrisë.

“Unë jam kontaktuar edhe nga organet e krimeve ekonomike njësisë për hetime por edhe nga prokuroria, dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit është edhe vullnet i imi, kemi komunikuar dhe vazhdojmë me bashkëpunu shumë ngusht. Ne ofrojmë informacione që zyrtarët e ndjekjes konsiderojnë që janë të dobishme për vazhdimin e proceseve hetimore. Logjika thotë që një nivel aq i lartë i abuzimeve nuk mund të përfundojë vetëm tek zyrtarët që kanë qenë të involvuar deri tash”, tha ai.

(Kosova Sot Online)