Ky shtet ua lejon fekondimin artificial grave beqare dhe çifteve lesbike

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 13:54
Ky shtet ua lejon fekondimin artificial grave beqare dhe çifteve lesbike

Franca ka miratuar një ligj që ua lejon fekondimin artificial edhe grave beqare dhe çifteve lesbike. Deri tani, kjo e drejtë ishte e rezervuar vetëm për çiftet heteroseksuale.

Asambleja Kombëtare votoi dy vite pas një debati të nxehtë dhe protestave të grupeve që e kundërshtonin këtë masë, shkruan BBC.

Shumë gra franceze kanë shkuar në Belgjikë dhe Spanjë për fekondim artificial, proces që kushton mjaft shumë financiarisht.

Ligji i ri e vendos Francën në grup me dhjetë shtete tjera të Bashkimit Evropian dhe me Britaninë e Madhe, të cilat e lejojnë trajtimin e tillë edhe për gratë beqare dhe çiftet lesbike.

Këto shtete janë: Spanja, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Holanda, Portugalia dhe Suedia. Jashtë BE-së, dispozita të ngjashme ligjore kanë edhe Norvegjia e Islanda.

Sipas një sondazhi, 67 për qind e francezëve e përkrahin ligjin e ri. Në Senat pati rezistencë kundër tij dhe projektligji pësoi mbi 1.500 ndryshime, por fjalën e fundit e tha Asambleja Kombëtare.

Ligji u përkrah me 326 vota, ndërsa 115 deputetë ishin kundër tij. Ndaj ligjit mund të paraqitet ankesë në Këshillin Kushtetues, ku ka politikanë të opozitës, prandaj zbatimi i tij mund të shtyhet.

(Kosova Sot Online)