Rusia kryen ushtrime me armatim të vërtetë në Detin e Zi, jo larg anijeve të NATO-s e Ukrainës

  • E.K /
  • 01 July 2021 - 10:59
 Rusia kryen ushtrime me armatim të vërtetë në Detin e Zi, jo larg anijeve të NATO-s e Ukrainës

Flota e Detit të Zi e forcave detare ruse tha të enjten se luftanijet e saj kanë kryer ushtrime me armatim të vërtetë gjatë manovrave në Detin e Zi. Kjo u bë në kohën kur Ukraina dhe NATO-ja po zhvillojnë ushtrime ushtarake në të njëjtën zonë, jo shumë larg forcave ruse.

Ushtrimi “Puhia e Detit”, i udhëhequr nga Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara, vjen pas rritjes së tensioneve mes NATO-s dhe Moskës, pasi Rusia tha javën e kaluar se ka shtënë dhe ka hedhur bomba afër një luftanije britanike për ta larguar nga ujërat afër Krimesë. Britania ka mohuar se një gjë e tillë ka ndodhur.

Moska ka bërë thirrje që ushtrimi “Puhia e Detit” të anulohet para se ai të fillonte, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se do të reagojë për ta mbrojtur sigurinë kombëtare, nëse është e nevojshme.

Flota ruse tha përmes një deklarate të enjten se ekuipazhet e dy anijeve të mëdha kanë qëlluar në cakun e vendosur në ajër dhe në det në ujërat e Detit të Zi, shkruan Reuters.

Ushtrimi i Ukrainës dhe NATO-s do të zgjasë dy javë dhe në të do të marrë pjesë një staf ushtarak prej rreth 5.000 ushtarësh me rreth 30 anije e 40 aeroplanë.

(Kosova Sot Online)