Pas dështimit me Britaninë e Palestinën, Izraeli bën pazar për vaksina me Korenë Jugore

  • G.G /
  • 06 July 2021 - 08:51
Pas dështimit me Britaninë e Palestinën, Izraeli bën pazar për vaksina me Korenë Jugore

Izraeli ka arritur marrëveshje me Korenë Jugore për dhurimin e rreth 700.000 dozave të vaksinës së Pfizer-it, të cilave iu del afati i përdorimit së shpejti. Koreja Jugore do t’ia kthejë numrin e njëjtë të vaksinave Izraelit në shtator ose tetor.

Koreja Jugore shpejt i ka përdorur vaksinat që i ka pasur në dispozicion, por është përballur me vështirësi për të siguruar doza të mjaftueshme me kohë për shkak të mungesës së furnizimeve në tregun botëror, sidomos në Azi, shkruan Reuters.

“Kjo është marrëveshje win-win (nga e cila fitojnë të dyja palët). Së bashku ne do ta mposhtim pandeminë”, tha përmes një deklarate kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett.

Jeong Eun-kyeong nga Agjencia për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Korenë Jugore tha se marrëveshja do t’ia mundësojë shtetit të Azisë Lindore që ta përshpejtojë programin e vaksinimit, përfshirë ofrimin e dozave për punëtorët e disa sektorëve që kanë kontakt të lartë me njerëz.

Jeong tha se nëse vaksinimi zhvillohet sipas planit dhe nëse Koresë Jugore i teprojnë doza më vonë pas dhurimit të dozave sipas marrëveshjes me Izraelin, vendi i saj do ta shqyrtojë mundësinë që vaksinat t’ua dhurojë disa vendeve të tjera.

Ndryshe, Izraeli më herët ka bërë marrëveshje të ngjashme me Autoritetin Palestinez, por ky i fundit e anuloi atë me arsyetimin se vaksinat kishin më pak afat sesa ishin marrë vesh palët.

Izraeli bëri përpjekje që të bëjë marrëveshje për shkëmbimin e vaksinave edhe me Britaninë e Madhe, por bisedimet nuk përfunduan në mënyrë të suksesshme.

(Kosova Sot Online)