Negociatat me BE-në, Ursula von der Leyen: Një premtim i dhënë duhet mbajtur

  • G.G /
  • 06 July 2021 - 15:14
Negociatat me BE-në, Ursula von der Leyen: Një premtim i dhënë duhet mbajtur

“Një premtim i dhënë duhet mbajtur”. Ishte ky mesazhi i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen para Parlamentit Europian në Strasburg referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në union.

Von der Leyen iu drejtua edhe kryeministrit slloven, i cili prezantoi para eurodeputetëve prioritetet e Presidencës 6 mujore të BE-së.

“Unë shpresoj që me Presidencën sllovene, ne do të mund të aktivizojmë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është në interesin tonë dhe është një çështje e besueshmërisë, sepse për Evropën, një premtim i dhënë duhet të jetë një premtim i mbajtur”, – tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.

Ajo shtoi se ajo mbështetet kryeministrin slloven për të vazhduar punën në çështjet e sundimit të ligjit dhe për të promovuar besimin në qeverisjen e mirë midis taksapaguesëve.

“Europa duhet të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar një valë të katërt të COVID-19 dhe për t’i dhënë përparësi kthimit në normalitet në gjashtë muajt e ardhshëm”, u shpreh kryeministri slloven, Janez Jansa.

Ai planifikoi të organizojë një samit në muajin tetor, midis udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si një përpjekje për të fuqizuar raportet.

(Kosova Sot Online)